Vlerat e mirëfillta, pararojë e të gjitha anomalive

Kultura

Vlerat e mirëfillta, pararojë e të gjitha anomalive

Nga: Remzi Salihu Më: 13 shtator 2022 Në ora: 12:35
Remzi Salihu

Para së gjithash duhet ta sqarojmë se çka është termi apo kuptimi i sintagmës “kulturë nacionale”, mbase ajo, si e tillë, në vete përfshinë një bashkësi kompleksive njerëzore të veçantë, që dallohet me gjuhë, traditë, doke, zakone të trashëguara kulturore. Të gjitha këto lidhje të ngushta dhe karakteristika dalluese të një etnie njerëzore formojnë një tërësi kulturore dhe kuptimore të një populli. Madje, gjatë kohës së zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë marrin edhe veprime të llojllojshme komunikative, sidomos nëpër rrethana e vështirësi të ndryshimeve sociale jetësore, ku brenda një shoqërie të ndarë, siç është kjo e jona, mund të shfaqen vështirësi dhe subkultura të ndryshme aktive, që veprojnë si pjesë modifikuese dhe imponuese në shoqëri. Këto grupe alternative veprojnë kundrejt kulturës së përgjithshme dhe nuk pranojnë integrime shoqërore globale. Pra nuk është e rastësishme paraqitja e grupeve të caktuara në Kosovë, që trumbetojnë “kombin kosovar” apo edhe format e të folmes gjuhësore të gegërishtes si alternativë kundërshtuese të standardit dhe normës ekzistuese. Ngandonjëherë përfaqësuesit e këtyre grupeve bëhen edhe agresiv, me tendencat dhe kërkesat e tyre radikale, regresive të subkulturës gjuhësore. Por, kultura institucionale i ka mekanizmat e veta mbrojtëse nga këto tendenca grupore denigruese të shoqërisë shqiptare. Kultura shqiptare ka forcën e vet bindëse në afirmimin e vlerave të mirëfillta kombëtare. Padyshim se institucionet përkatëse, tanimë e kanë për detyrë, të luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave të mirëfillta kulturore.

Këto veçanti karakteristike të një populli betonohen në një shtet apo rajon etnik të përbashkët, ku dallohen si kombe me karakteristikat e veta prej të tjerëve. Kultura nacionale në kuptimin e plotë fjalës është një vlerë tërësore e trashëguar dhe refleksive e shoqërisë, e cila ka qëllimin e formës së bashkësisë që zhvillohet apo evoluon gradualisht gjatë qenësisë së saj nëpër shekuj. Ajo ka edhe kontinuitetin e vet të vlerave kulturore që trashëgohet nga gjenerata në gjeneratë. Ajo nuk mund të mbetet statike, por zhvillohet gradualisht për të formuar e formësuar identitetin e plotë kolektiv dhe të dallueshëm me të gjitha karakteristikat e veta poseduese e reflektuese. Populli shqiptar i ka disa veçanti dhe vlera kulturore që popujt tjerë nuk i kanë. Një kohë të gjatë ka dominuar koncepti kulturor i “Besës”, që është përcjellë si kod i fjalës së dhënë dhe bindjes së shenjtë, e cila bashkë me nderin dhe burrërinë e manifestuar, si qasje antropologjike kulturore, nuk ka guxuar të tjetërsohet apo anashkalohet nga vetëdija e njerëzve. Sipas këtij “kodit penal” të “Besës shqiptare” ndërtohet kulti i sintagmës së trashëguar dhe fjalës së dhënë për diçka të rëndësishme shoqërore e njerëzore. Kjo shprehje dhe vendim ka luajtur “ligjin” e posaçëm dhe bindës, vetëm të popullit shqiptar dhe si vlerë të tillë karakteristike, ka shërbyer për ta njohur tërë bota. Mbase kjo shprehje bazike i ka rrënjët e thella që nga lashtësia e periudha mitologjike apo edhe nga lidhja e hershme biblike që potencon shprehjen hyjnore dhe vendimtare të fjalës: “Në fillim ishte fjala”, dhe kjo, padyshim, mbeti si nismë e parë për të komunikuar e vepruar njerëzimi midis vetes. Sipas kësaj të vërtete mund të themi se kjo çështje sublime e ekzistencës së kulturës mund të lidhet edhe me ngjarjet mitologjike të popullit shqiptar, siç është legjenda e Rozafatit, që ndërlidhet fuqishëm me motivin e murimit, si dhe me motivin e ringjalljes së njeriut ashtu siç na e dëshmon edhe legjenda apo kënga tjetër karakteristike “Besa e Kostandinit”, e cila padyshim ka të bëjë me personifikim e gjërave të vdekura dhe për fjalën e dhënë, apo të ligjit të koduar njerëzor të besnikërisë, që nuk mund ta harrojë këtë bindje morale, as vdekja dhe as gjërat ekzistuese përreth.

Tani pos dokeve, zakoneve dhe veshjeve kombëtare, gërshetohet edhe arti i trashëguar nga gjenerata në gjeneratë. Folklori autokton ka qenë gjeneza dhe baza e zhvillimit të artit në përgjithësi, ku aty hyjnë vlerat e veçanta, si karakteristikë dalluese të një etnie, veshjet, muzika dhe letërsia popullore, por tanimë edhe ajo e shkruar, për të na përfaqësua si popull i veçantë në botë.

Me kalimin e kohës dhe sidomos me globalizimin e shoqërisë, shumë prej këtyre veçantive karakteristike, që i ka përdorur gjatë historisë popull ynë, janë duke evoluar dhe harruar si pasojë e ndikimeve të kulturave tjera të huaja. Kështu ndodh me të gjithë popujt e botës që integrohen në këtë sistem global jetësor. Tani këto marrëdhënie dhe ndikime kulturore ndodhin edhe me popullin tonë që gjendet e frymon në këtë kontinent evropian të përbashkët. Në skenë vijnë adete tjera manifestive të përgjithësuara dhe të ndikuara nga të tjerët. Harrohen ose nuk përdoren më pjata apo enë të mbushura me drithëra e bonbone që hidhen nga dhëndri mbi kalin apo veturën e nuses, kryesisht me besim dhe besëtytni në vete për ta begatuar shtëpinë dhe familjen. Edhe pse në kohën e sotme, moderne dhe postmoderne, dikush mund të bëhet nostalgjik për këto tradita e vlera dokesh e zakonesh ekzistuese të së kaluarës, por ja që ndikimet dhe standardi jetësor luan rolin e vet imponues të shoqërive dhe modave të ndryshme të zhvillimit jetësor. Shumë gjëra kanë ndryshuar dhe kanë marrë forma tjera të manifestimit shoqëror e kombëtar. Tani për shkak të zhvillimit teknologjik dhe industrial të popujve, vetëm gjuha ka mbetur dhe do të mbet si formë bazike e komunikimit tonë kulturor të përgjithshëm dhe si dëshmi bindëse e qenësisë sonë, për të na dalluar, si popull i veçantë prej të tjerëve. Edhe kur nuk ka ekzistuar shkrimi shqip, njerëzit kanë komunikuar me këtë gjuhë të trashëguar nga të parët tanë. Po qe se fshihen kombet ndonjëherë, gjuhët e veçanta do të ekzistojnë më gjatë, derisa në skenë vepruese shoqërore nuk del diçka më e përsosur shkencërisht, që këto veçanti dalluese gjuhësore, mund t’i mbulojë ndonjë gjuhë dhe teknologji tjetër, e re, ku njerëzit e globalizuar të komunikonin apo të merren vesh njëri me tjetrin.

Në pyetjet që shtron “Hejza”, “rreth bashkimit kulturor të shqiptarëve” në këtë aspekt të përgjigjeve adekuate, ndërthuren shumë faktorë politikë dhe gjeostrategjikë, që janë të lidhura ngushtë me zhvillimin historik të popullit. Në sundimin e perandorive në gadishullin ballkanik, etnia shqiptare nuk ka pasur kufij politik të vetin, dyndjet dhe lëvizjet kanë qenë të mundshme sipas zbatimit të ligjeve të atëhershme. Njerëzit apo etnia jonë ka vepruar dhe zhvilluar veten në forma të ndryshme të mbijetesës deri në ditët e sotme. Formimi i kombeve dhe shteteve merr kuptimin e vet vetëm atëherë pas Revolucionit Francez në fillim të shekullit 19, ku definohet kuptimi i popullit, duke pasur për bazë qëndrimin, një popull një shtet. Në këtë kohë u formuan kufijtë dhe shtetet nacionale. Këtë iniciativë e morën poetët, filozofët, zhurnalistët dhe shumë personalitete të njohura të kohës, me një vetëdije dhe emancipim zhvillimor shoqëror, ku do të bëhej kufizimi dhe distanca, bashkë me kulturën e gjuhës dhe historisë së vet, ndaj etnive tjera përreth.

Tani në kohën dhe politikën e sotme, bashkimi kombëtar, më duket se është bërë ushqim i përditshëm i njerëzve të preokupuar me këtë problematikë. Kjo çështje sot trajtohet edhe nëpër media e struktura të ndryshme politike nëpër trojet etnike shqiptare, prandaj edhe kultura si veçanti ekzistuese, tanimë, ka mundësinë më të mirë e më të lehtë për integrim spontan, posaçërisht duke stimuluar vetëdijen e njerëzve nëpër institucione dhe nëpër vende ku jetojnë e veprojnë të organizuar. Padyshim se këtë frymë integruese në demokraci, nuk mund ta pengojë askush, por nuk mund ta ndalin as edhe ata njerëz që janë gabimisht të vendosur nëpër pozicione ku mbrohet identiteti kulturor kombëtarë. Vetëm diktaturat e së kaluarës nuk kanë lejuar një bashkim apo integrim normal të njerëzve dhe artit në përgjithësi. Këto barriera sot janë lëçitur nga vetëdija e njerëzve dhe misionarëve profesionistë, sidomos ata profesionistë që kanë përgjegjësi kombëtare. Edhe pse brenda këtyre fërkimeve integruese apo bashkuese të kulturës, paraqiten klane dhe individë që bëjnë “sektarizmin kulturor”, prapëseprapë fuqia tjetër e vlerave të mirëfillta duhet të dominojë në zhvillimin dhe kristalizimin e pastër të identitetit tonë kulturor institucional. Vlerat e mirëfillta të arteve bëhen pararojë e të gjitha anomalive kulturore vepruese në shoqëri, të cilat sot i kemi me shumicë. Kjo betejë arrihet gradualisht duke bërë dekriminalizimin e ndalesave kulturore shqiptare, para së gjithash, kjo është e mundshme të bëhet duke shqyrtuar politikat vepruese nëpër trojet shqiptare, të cilat edhe sot e kësaj dite shëmbëllejnë në forma të ndryshme organizative. Ndalesat politike të së kaluarës për të mos u integruar shqiptarët duhet të tejkalohen dhe kjo arrihet me përkushtim dhe investim serioz kulturor. Gjithsesi se barrierat politike dhe ideologjike, që kanë ekzistuar më parë, duhet të thyhen e të anashkalohen njëherë e përgjithmonë, për t’u arritur ky homogjenitet i mundshëm kulturor kombëtar. Pa kualitete semantike të njerëzve të ditur dhe specialistëve të arteve përkatëse nëpër institucione dhe pa pluralizëm politik nuk do të besoja në këtë komunikim ndërlidhës të kulturës shqiptare.

Festivalet ekzistuese të letërsisë, muzikës, të filmit dhe teatrit nëpër të gjitha trojet shqiptare, kanë mundësuar që kultura shqiptare të jetë më e pranishme në perceptimin e vlerave të përgjithshme te qytetari. Tanimë talentet lëvizin të lirshëm, duke performuar kreativitetin e vet në çdo hapësirë ku frymon qenia shqiptare. Sa për ilustrim, mund të përmendim Festivalin e muzikës bashkëkohore në Shqipëri e Kosovë, DokuFest i filmit dokumentar ndërkombëtar që mbahet në Prizren, Dom festival, i muzikantëve të rinj, Prishtina Jazz Festival, Festivali Sunni Hill, i Dua Lipës, Festivali i Teatrit Dibër, pastaj Festivalet letrare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e gjetiu, janë mundësi të mëdha integrimi kombëtarë. Kurse tjetër punë është kriteri dhe niveli artistik që duhet ta bëjnë profesionistët e këtyre arteve kreative kulturore. Në këto mundësi të shumta ka edhe lëshime që duhet të tejkalohen me kalimin e kohës.

Kongresi Manastirit është koordinimi më sublim i Rilindjes Kombëtare, që gërshetoi qëndrimin e studiuesve dhe atdhedashësve më të përkushtuar të kombit tonë, kryesisht, për të pasur një gjuhë dhe alfabet të përbashkët kombëtar. Ishte nevojë e kohës që Gadishulli Ilirik duhej të inkarnojë në vete një kulturë dhe politikë strategjike të njëjtë kombëtare, e cila pas shumë përpjekjeve dhe mosmarrëveshjeve, më në fund kjo nevojë e kohës u realizua me përkushtim serioz nga të gjithë pjesëmarrësit e konferencës në qytetin e Manastirit. Të pranishmit mes datave 14 dhe 22 nëntor, 1908, unanimisht vendosën që të bëhet standardizimi bazë i alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Kongresi i Manastirit bëhet gurë-themeli fondamental për unifikimin e shkronjave shqipe, që do të përdorej si kod i njësuar dhe i përbashkët i letërsisë mbarë shqiptare. Kjo datë dhe vendimet e marra në kongres nga pjesëmarrësit e të gjitha trojeve etnike shqiptare, bashkë me pjesëmarrësit e të gjitha përkatësive fetare, vendosën në mënyrë unanime se alfabeti shqip duhet të jetë me 36 shkronja dhe me shkrim latin. Aty u dhanë mendime që të shkrihen të dy dialekte toskë dhe gegë për një gjuhë të njësuar e të përbashkët standarde. Ka qenë një domosdoshmëri e kohës për t’u arritur qëllimet e këtij koordinimi rreth bashkimit kulturor kombëtar. Në vendimet e marra u dhanë përparësi të dy dialekteve ekzistuese, toskë dhe gegë, e folme që përdoret në veri dhe jug të territorit shqiptar. Tanimë në nisje të vitit të ri shkollor kemi edhe Abetaren e përbashkët e të unifikuar për të gjitha trevat shqiptare. Tani për tani është koordinuar puna e ekspertëve që Abetarja e re të jetë unike për Shqipëri dhe Kosovë. Kjo është një nismë e mbarë për kulture dhe integrim kombëtar.

Vet qenia jonë është e lidhur në kompaktësi gjeostrategjike në territorin ballkanik, ndaj kjo kompaktësi kërkon një standard gjuhësor komunikimi, me veten dhe me të tjerët, që duan ta njohin dhe pranojnë këtë gjuhë si më të vjetër në Evropë. Edhe pse shqiptarët jetojnë etnikisht nëpër shumë shtete, (të ndarë e të kufizuar me kufij), ka ardhur koha që këto kufij “artificial” të anashkalohen me projekte e strategji kulturore dhe ekonomike. Është mision i çdo shqiptari që t’i thyejë këto barriera penguese dhe dizintegruese. Të mos flasim tani për njerëzit e arsimuar, të cilët e kanë për detyrë implenetimin dhe unifikimin e identitetit tonë kombëtar. Në kërkimin tonë nuk bëhet fjalë për kuantitet, por për kualitet të përgjithshëm shoqëror e kombëtar. Çdo kërkim i ka vështirësitë e veta në qoftë se i ka në mungesë informacionet e duhura. Shoqërisë sonë i duhet një kulturë tjetër zhvillimi permanent për të dalë nga kufizimet politike të kohës. Mundësia më e mirë për të dominuar vlerat e mirëfillta, është koordinimi i ekonomisë së përbashkët nëpër të gjitha trojet shqiptare. Duke investuar me mençuri strategjike dhe fonde të përbashkëta ekonomike të gjitha vështirësitë sociale mund të tejkalohen. Njëherë e kam thënë se kur paga e punëtorit nëpër trojet etnike shqiptare do të bëhej njëqind euro më shumë se në Itali e Greqi, atëherë pa hamendje do të kemi shqiptari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat