Memoriali i Skënderbeut tualet publik?!

Kultura

Memoriali i Skënderbeut tualet publik?!

Nga: Hejza Art Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 12:47
Foto ilustrim

Nëse na e përfol dikush apo nëse na e shtrembëron dikush (qoftë edhe shkencërisht) figurën e ndritshme të heronjve tanë legjendarë, i bimë më qafë, sakaq e shpallim udbash, bashkëpunëtorë të Serbisë dhe armiq të përbetuar të shqiptarisë! Nuk guxon të na i prekë askush heronjtë kombëtarë, sepse menjëherë i fusim në taborin e armiqve tanë shekullorë! Po pushtetet tona që i tolerojmë të na i nëpërkëmbin qëllimisht këta figura të paprekshme kombëtare? Heroit legjendar, Adem Jasharit, nuk guxon t’i bie as grimca më e vogël e pluhurit! Askush në botë nuk guxon të sjellë “fakte të shtrembëruara” mbi personalitetin e pacenueshëm të Skënderbeut! Por, ama tolerojmë pushtetet tona që me vite e me vite të tallen me këta figura!

Çka është nëse jo tallje rrethimi i “shtëpisë biblike” të Adem Jasharit me do skele të hekurta ku gati një familje e tërë, prej plakut e te foshnja, u shua për çlirimin e Kosovës? Intervenimi në këtë mënyrë në vitet e para për ta ruajtur shtëpinë-simbol të çlirimit, mbase edhe mund të arsyetohet, por të ngelë në të njëjtën gjendje tash e tri dekada, ndërkohë që janë ndërruar një duzinë pushtetesh, janë ndërtuar një duzinë lagje-qytetesh të reja, kjo është tallje e përtej talljes! Do të ishte veprim më se i arsyeshëm mbarëkombëtar nëse pushtetet tona do të hiqnin dorë nga subvencionimi i i dhjetëra librave, i dy-tri shfaqjeve, i dhjetëra filmave të metrazhit të gjatë, i dhjetëra gërmimeve arkeologjike, vetëm e vetëm të sigurohej buxheti për meremetimin dhe konservimin e SHTËPISË SË JASHARAJVE që përjetë të ngelte përmendore e gjenocidit serb! Kështu si po “kursehen” pushtetet kombëtare kjo Shtëpi shumë shpejt mund të shndërrohet në gërmadhë dhe, si komb, të na mbulojë turpi historik!

A e di pushteti shqiptar se Memoriali i Skënderbeut, ansambli arkeologjik i Lezhë, na është shndërruar në nevojtore publike! Kush janë këta “patriotë” që pshurren skaj varrit të Skënderbeut dhe, kush janë këta pushtetarë që me heshtjen e tyre e stimulojnë këtë turp gjithëkmombëtar! Nga institucionet kompetente kulturore të Lezhës raportohet se këto dy-tre vite (2018-2022) janë rrënuar dhjetëra kisha, madje të vjetra më se shtatë shekuj, siç ishte Kisha në Zejmen të Lezhës! Lezha është një nga zonat më arkeologjike shqiptare, gjurmët e së cilës flasin për një lashtësi jo vetëm të qytetit, por edhe të shqiptarëve të kësaj zone! Në Balldren të Lezhës gjendet kisha-gërmadhë që daton nga shekulli i dymbëdhjetë e që i bëri ballë dukurive të ndryshme natyrore, pushtuesve e diktaturave nga më të egrat. Në këtë kishë gjendej freska e Darkës së Fundit, dyqind vjet para se ta pikturonte DaVinçi! Muret e këtyre kishave shekullore kanë qenë përplot me ikona e freska dhe që nuk ekzistojnë më!

Zbardhja e dukurisë antikombëtar, si kjo e shndërrimi në WC publike e Memorialit të Skënderbeut, çdo pushtet kombëtar do ta detyronte në ikje si gjest moral, ose të paktën, në ndërhyrje emergjente për t’i kapur të gjithë ata pshurrana e dhjevça dhe për t’i varur publikisht pa kurrfarë procesi gjyqësor. Me këtë dukuri të shëmtuar, pa dyshim që ka qenë i informuar edhe Ministria shqiptare e Kulturës, edhe qeveria shqiptare, edhe kompetentet shtetëror për trashëgimi kulturore, por e kanë heshtur pisllëkun derisa ky nuk shpërtheu ditë më parë si vullkan, duke u derdhur rrëke mbi patriotizmin tonë deklarativ e mbi pushtetet tona pseudokombëtare!

Nuk është masë preventive as gatishmëria e shtetit për të ndërhyrë dhe për ta rrethuar me mure kalaje ansamblin arkeologjik të Lezhës! Po si u bë që në kohën e Enver Hoxhës mbi atë zonë të heroit legjendar kombëtar nuk guxonte të fluturojë as spurdhjaku nga droja se mund t’i shpëtonte ndonjë glasë! Pse sot Varri i Skënderbeut është shndërruar në nevojtore publike! Çka do të ndodhte nëse kjo shëmti do të shpërthente pranë varrit të Napoleon Bonapartës, në memorialin e Kemal Ataturkut, në ndonjë varr të shenjtë...

Ky ansambël arkeologjik i Lezhës, sikur edhe ai i Prekazit, duhet të shpallen zona mbrojtëse të kategorisë së lartë, të hapura po, por të pashkelura në parametër prej qindra metrove! Të shpallen zona ushtarake, mbi të cilat vërtet që nuk do të guxonin të fluturojnë as mizat! Mjaft më me patriotizma deklarativë. Koha është të veprohet në praktikë. Koha është që ky turp iskarotian të përfundojë sa më parë. Memoriali i Skënderbeut në nevojtore publike?! Ndëshkim i pakompromis dhe i rëndë mbi këta ndyrësira, sepse ata shumë mirë e dinë se çfarë po bëjnë! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat