Pse kasta politike i refuzon institucionet e kulturës!

Kultura

Pse kasta politike i refuzon institucionet e kulturës!

Nga: Hejza Art Më: 11 janar 2022 Në ora: 18:48
Foto ilustrim

Shkupi është qyteti më i madh dhe kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, i përbërë prej dhjetë komunave, prej të cilave dy komuna janë me shumicë shqiptare (Çairi me rreth 65 mijë banorë dhe Saraji me rreth 36 mijë banorë)! Në Qytetin e Shkupit, veç tjerash, funksionojnë shtatë ndërmarrje publike dhe gjashtë institucione të kulturës. Po ashtu, Qyteti i Shkupit ka edhe 21 shkolla të mesme, prej të cilëve pesë shërbejnë si gjimnaze të përgjithshme të shkollave të mesme dhe 16 shkolla profesionale. Në territorin e këtij Qyteti funksionojnë edhe disa Universitete, si: Universiteti “Shën Cirilit dhe Metodi”, Universiteti “Nëna Terezë”, disa fakultete të dispersuara të Universitetit të Evropës Juglindore, si dhe disa universitete private: Universiteti Europian, Universitetin FON, Universiteti i Ballkanit. Natyrisht, në territorin e saj shtrihen edhe një sërë institucionesh nacionale kulturore por që janë nën menaxhimin e Ministrisë së Kulturës.

Përkundër të gjitha këtyre institucioneve kulturore si dhe një aradhë e tërë studentësh e gjimnazistë (mbi 100 mijë të tillë) bartës dhe konsumues potencialë të jetës dhe aktiviteteve kulturore, fatkeqësisht nga ana e shqiptarëve sikur është ngjizur një traditë që ndarjen e kulaçit në pushtetin e këtij Qyteti ta bëjnë ekskluzivisht në sferën e ndërmarrjeve publike. Koalicionet e pushtetit lokale shqiptarët i bëjnë duke këmbëngulur në të drejtën për të drejtuar ndërmarrje publike, kryesisht “Parqet dhe Gjelbërim”, “Parkingu i Qytetit”, “Rrugicat dhe rrugët”, “Ndërmarrja Publike e Komunikacionit”, “Ujësjellësi dhe Kanalizimet” si dhe “Higjiena Komunale”! Politikanët shqiptarë këto ndërmarrje i shohin si vende ideale për t’i punësuar përkohësisht (me kontratë në vepër) militantët partiakë, që në shumicë janë me nivel të ulët arsimor. Politikanët tanë mendojnë se shqiptarët me shkollë të mesme dhe fillore më të mirë janë në fshesa apo plehra se sa nëpër institucione kulturore, qoftë nëpër biblioteka, nëpër salla e nëpër shtëpi kulturore.

Qyteti i Shkupit menaxhon me Bibliotekën “Vëllezërit Milladinovci”, në të cilën janë të inkuadruar 4 biblioteka qendrore, 16 klone dhe bibliotekë mobile (bibliobus); menaxhon me Qendrën Kulturore Informative, e cila dekadën e fundit ka qenë mjaft e hapur për aktivitete kulturore shqiptare, sepse menaxhohej prej drejtoreshës shqiptare! Po ashtu, Qyteti i Shkupit menaxhon edhe me Shtëpinë e Kulturës “Koço Racin”, me “Qendrën Rinore Kulturore”, Me “Muzeun e Qytetit të Shkupit” dhe me “Sallën Universitare”! Natyrisht, të punësuar nëpër këto institucione të kulturës janë më se 90 për qind maqedonas, kurse drejtohen po ashtu prej maqedonasve!

Komunat shqiptare të Shkupit akoma nuk e kanë parë të arsyeshme që të themelojnë biblioteka me ndonjë bibliotekë amë, për shembull, në Çair që do të mbante emrin e ndonjë rilindësi kombëtar shqiptar! Akoma nuk ndjejnë nevojë për ndonjë Shtëpi të Kulturës. Po ashtu, as partitë shqiptare pa votat e të cilëve nuk mund të zgjidhet as kryetari i Qytetit të Shkupit dhe as të formohet Këshilli i Qyteti, nuk e shohin të udhës të kërkojnë që të drejtojnë me apo, të paktën, të kenë zv/drejtorë dhe të drejtojnë me sektorë të veçanta në kuadër të institucioneve të kulturës, të paktën në biblioteka dhe për hir të nevojës për të ditur fondin e librit shqip, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me librin dhe, në përgjithësi, me botimet në gjuhën shqipe.

Nga ana tjetër, Komuna e Çairit ka mbi 5000 nxënës që mësojnë kryesisht në gjuhën shqipe, ndërsa nga raporti i buxhetit vjetor i vitit 2021 shihet se ndonëse në buxhet kanë paraparë 200 mijë denarë, kanë shpenzuar 500 mijë denarë (8 mijë euro) për blerje të librave. Kurse për revista, gazeta dhe publikime të tjera për nevojat e të punësuarve janë shpenzuar 845.800 denarë, ose mbi 13 mijë euro! Komuna tjetër shqiptare, ajo e Sarajit, në këtë aspekt është shumëfish më keq! Jo bre nuk na intereson as libri dhe as kultura, kurse koalicionet i bëjmë për fshesa në duar të shqiptarit, për pastrim rrugësh dhe për mbledhje plehrash! Shumë poshtë na ka rënë pazari, si qytetar e si etnikum! /HEJZA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat