Vargje me strukturë përmbajtësore

Kultura

Vargje me strukturë përmbajtësore

Nga: Nexhat Rexha Më: 9 janar 2022 Në ora: 14:45
Kopertina e librit

Falë përkushtimit shpirtëror të poetit dhe përkthyesit Baki Ymeri, me vendbanim në Bukuresht, krahas vlerave shqiptare, lexuesit tonë po i krijohet mundësia të njohë për së afërmi edhe vlera të çmuara të kulturës rumune. Të ndërtosh ura nuk është punë e lehtë, por vullneti për të ripërtërirë e ruajtur traditën e krijuar nëpër shekuj, është thesar kulturor e ndërnjerëzor. Në vazhdën e veprave të zgjedhura të autorëve rumunë, kësaj radhe në gjuhën shqipe vjen me tërë shkëlqimin poetik edhe poeti Theodor Damian, i cili ka krijuar vepra të bujshme dhe ka hapëruar me rezultate të lakmueshme artistike. Përkushtime të realizuara me dashuri për të thënë fjalën e bukur e të sintetizuar në rrafshin organizativ e estetik. Autori i disa veprave letrare ka dëshmuar cilësinë e brendshme të vargut nëpër faqet e secilës poezi e varg.

Këtë herë, vepra ”Shenja e Isarit” komunikon me lexuesin shqiptar me ngrohtësi njerëzore dhe artistike. Fuqia e fjalës me figurën e zgjedhur depërton thellë në masën e gjerë, sepse metafora i jep fuqi idesë dhe ideshmëria përcakton artikulimin figurativ dhe krijon mbështetje në përditshmërinë poetike. Autori në poezinë e këtij vëllimi ka konkretizuar realitetin bashkëkohor, duke theksuar e dalluar të veçantën si në përmbajtje, poashtu edhe në shtjellimin e brendshëm duke i dhënë fuqinë narrative tërësisë kuptimore në tërësi vargut. Vëllimi poetik “Shenja e Isarit” ka një lidhje të fuqishme konvencionale që nga fillimi e deri në mbarim. Autori ka shtruar pjesë intime të përjetuar në një fazë të caktuar jetësore, por kjo nuk do të thotë se përjetimet në të shumtën e rasteve mund të shkrihen nëpër vepra e vargje. Mirëpo, lidhja e jetës me poezinë mund të marrin trajtën funksionale, nëse ato gërshetohen dhe harmonizojnë botëkuptimin njerëzor përmes reales dhe fuqisë magjike të fjalës që mund të prodhojë pena në ndërdijen e mendjes dhe zemrës.

Në këtë korelacin Theodor Damiani ka lidhur burimin e lumit Isar dhe shtegtimet e pandërprera të tij nëpër qytete e shtete, duke e fuqizuar atë në përfundimin e tij drejt rrugës së pakthim në thellësitë e detit. Këto dallgë të jetës nëpër të cilat kalojnë njerëzit si rrjedha e lumit Isar dhe e shume lumenjve të tjerë shpalosin dhembjet, ëndrrat për të bukurën dhe në një mënyrë a tjetër lidhin edhe fatet e njerëzve nëpër kohë. Në këtë vorbull të rrjedhës së jetës, ai ka shigjetuar skena nga më të ndryshmet, çka lexuesi mund të konstatojë se përjetimi poetik merr dimension sa real, po aq edhe funksional, sepse brendia e vargjeve krijon sensibilitet për atë që parashtron autori nëpër tërësinë e këtij vëllimi poetik. Komunikimi me mjekun qartëson lokalitetin e qytetit gjerman si një pjesë nëpër të cilën ka kaluar e përjetuar protagonisti (autori) i këtyre vargjeve: “Herr Profesor/ Kam dëgjuar se në ëndërr/Shërimi bëhet me fytyrën përpjetë/ Dhe duke shikuar nga horizonti.”

Pra, nëpër vargje krijohen ngjarje nga më të ndryshmet dhe ato marrin rolin shpërndarës, por gjithnjë në funksion të humanitetit njerëzor dhe edukativ, që pastaj poezia të marrë trajtën ekuilibrike, për të depërtuar në vlerën e përgjithshme dhe të kapshme në mesazhin e saj, aty ku depërton ajo. Në kuptimin e tërësishëm të veprës dominon arsyeja , e cila gjithnjë ka shtrirje kah e nesërmja, duke kërkuar të bukurën në mbështjetje të artikulimit për një të nesërme sa më reale. Kjo kërkesë shtrohet, për një mëngjes e ditë të re, sepse ai kërkon diellin, kërkon jetën, e në këtë kërkim ai gjen mbështetje atje ku “Zoti e shpërndau terrin/Nga drita/ E nxorri vdekjen prej meje/Dhe me tha/Të jap jetën që të jetosh/Dhe ta dish se Unë jam Zot i Zotit tënd/Dhe të mos kesh zotëra tjerë/Përveq Meje”.

Vargje këto me fuqi të madhe artistike dhe mesazhi del shumë funksional, sepse jeta kërkon mbështjetje për të ardhmen dhe vetëm në një qëllim të besueshëm. Kur qëllimi i njeriut bashkon idealin për të ruajtur jetën dhe asaj i jep porosi gjithsesi angazhimi dhe fisnikërimi për të ruajtur kuptimin e fjalës dhe ndjeshmërinë shpirtërore e arsyetojnë lindjen dhe vdekjen. Por këto dy pjesë, njëra e fillimit e tjetra e mbarimit kanë lidhje dhe besueshmëri në një koncept të qartë, e ai është besimi në jetë dhe në njerëzoren. Pra ”Shenja e Isarit” është një, dhe njeriu ka një jetë, por ajo ka edhe momentet nga më të ndryshmet të saj, në të ka ecje-ecje dhe nuk ka ndërprerje, por shtegtimi i brengave trazuese të jetës kërkon edhe engjëllin mbrojtës, e si mund të qëndrojë pranë teje ai mrbrojtës, autori e qartëson për bukuri përmes vargjeve këtë mesazh që ndërlidh botëkuptimin shpirtëror e filozofik me ngjyrime objektive.

Mirëpo, autori nëpër vargje shpalos të kaluarën dhe të ardhmen, sikur të vë para zgjidhjes së enigmës së quajtur gjeografi dhe njeriu nëpr kohë duhet të konstatojë esencën e glorifikimit të fjalës në të cilën mund të gjesh të saktësuar elementin konstatues e ndërlidhës të kohëve me ironinë që prodhon karakteri real apo imitues. Pra teologu e poeti Theodor Damian, dhembjen e kthen në dashuri dhe kjo dashuri ka marrë fuqinë, sa artistike po aq edhe universale, sepse në të dominon arsyeja dhe vullneti për të kaluar lirshëm njeriu nëpër të gjitha urat e ndërtuara mbi lumin Isar.

E tërë përmbajtja e vëllimit është e stolisur me akuarelin dhe simfoninë e variantit origjinal, që dhembjes dhe shtegtimit i japin pavarësinë e stabilitetit lirik dhe estetik me një komunikim sa aktual, po aq të rëndësishëm dhe edukativ e shenjues për fjalën e bukur artistike, duke shtruar në të gjitha format e saj vlerën artristike e universale si visar për lexuesin e të gjitha përkatësive gjuhësore. Autori ka kompletuar variantin e shprehur me një optikë të qasjes nga afërsia, sepse ai ka fokusuar dhembjen dhe dashurinë me qetësi shpirtërore. Pra, lirikat e ketij vëllimi rrezatojnë në të gjitha dimensionet karakterin identifikues si në përsosmërinë e vargut po ashtu edhe në brendinë e saj simbolike dhe sintagma qartëson ide stabilizuese. Dhe këtë qëllim autori e ka rrumbullakësuar me tërë strukturën e figurës funksionale dhe përmbajtësore. Përfundimisht mund të themi se Baki Ymeri ka realizuar një përkthim me vlera të larta, duke na e dhuruar një vepër të shkëlqyeshme aristike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat