Pak respekt kombëtar për Spirantum-in!

Kultura

Pak respekt kombëtar për Spirantum-in!

Nga: Hejza Art Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Një Kor nga Kosova mahniti botën muzikore konteporane, i shpallur fitues në kategorinë “The Open Competition – Musica Contemporanea” në Festivalin dhe kompeticionin më të madh koral në botë, “World Choir Games”

Në sferën e muzikës, Kosova njihet si kopsht muzikantësh e këngëtarësh. Arenës kombëtare e ndërkombëtare i ka dhënë emra të mëdhenj instrumentistësh, këngëtarësh, kompozitorësh. Pa një taban të fuqishëm muzikor vështirë se do të dilte një divë e paarritshme si Nexhmie Pagarusha! Të këtij tabani janë edhe Rita Ora, Dua Lipa e Era Istrefi. Kjo traditë vazhdon edhe sot e kësaj ditë. Këtë konstatim të pamohueshëm e dëshmoi këto ditë edhe KORI SIPARANTUM, nga Peja, i cili shkroi historinë, duke u shpallur fitues në kategorinë “The Open Competition – Musica Contemporanea” në festivalin dhe kompeticionin më të madh koral në botë, “World Choir Games”.

Kori Siparantum u themelua mbi bazën e një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. U krijua nga vullneti i lirë i qytetarëve nga zona dhe kategori të ndryshme! Në platformën e vet ky kor ka nënvizuar edhe qëllimin e rëndësishëm – të promovojë Kosovën në rajonin dhe në mbarë botën, përmes muzikës artistike dhe ndërkombëtare të përbërë nga kompozitorë të mirënjohur nga shekujt e kaluar e deri në ditët e sotme. Siparantum ka performuar me sukses vepra korale të kompozitorëve të njohur; Bach, Mozart, Eric Whitacre, Presiner, Jake Runestad etj. Me një repertor shumë të pasur të muzikës tradicionale, klasike, moderne dhe sakrale, me guxim të madh në përzgjedhjen e veprave vokale dhe orkestrës profesionale, Kori Siparantum është vlerësuar lartë nga muzikantë vendor e ndërkombëtar si dhe kritika muzikore.

Por, deri më sot, përjashto opinionin e ngushtë, publiku i gjerë shqiptar ka dëgjuar fare pak për këtë kor, ndërkohë që në arenat ndërkombëtare të skenës muzikore ka arritur suksese të jashtëzakonshme. Ka prezantuar në Francë, në Belgjikë, në Itali, në Kroaci e nëpër shumë vende të ndryshme të botës, prej nga është kthyer edhe me suksese e lavdërata nga më të lartat. Pa dyshim, ndër muzikologët botëror po diskutohet mbi këtë kor nga Peja, po shprehet habia e madhe se prej nga tërë ajo disiplinë e përkryer, ajo potencë muzikore për të kultivuar me kaq pasion e profesionalizëm këndimin konteporan. Fatkeqësisht, vetëm në Kosovë (por edhe në mediat tona nacionale e lokale) nuk mori vëmendjen e merituar.

Më 7 nëntor të vitit 2021, KORI SIPARANTUM nga Peja, në Olimpiadën e koreve botërore u shpall më i miri, ndërsa në faqen e vet Ministria e Kulturës publikoi këtë informatë: “Kori Siparantum sonte bëri histori për shtetin tonë, në Olimpiadën e koreve botërore, World Choir Games 2021. Siparantum është shpallur fitues në kategorinë, The Open Competition – Musica Contemporanea. Shumë urime!” Kaq! Asgjë më shumë!

Pjesëtarëve të këtij Kori nuk iu organizua kurrfarë pritje institucionale! Asnjë fjalë nuk e tha as kryetarja e Shtetit, zonja Osmani, por as kryeministri, zotëri Kurti! A mund të organizohet, të paktën, një pritje institucionale në Ministrinë e Kulturës? Artistët munden dhe dinë ta bëjnë punën e vet atdhetare shumë më mirë se politikanët e lokalizuar në hapësirën patriotike aq të ngushtë, ku nuk mund të performohet asgjë më shumë se “loja e vetëkënaqësisë”! Kulturë duhet ta kemi, por edhe përuljen me galancë para artistëve që nderojnë atdhe e komb! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat