Vargëzim poetik për atdheun

Kultura

Vargëzim poetik për atdheun

Nga: Ajete Zogaj Më: 8 shtator 2021 Në ora: 13:10
Kopertina e librit

Libri më i ri i autorit Tonin Nikolli “Atdheu im është në qiell” vjen për lexuesin shqiptar si një mozaik i bukur, mozaik ku autori ka gërshetuar me mjeshtri artistike, thellësinë e dukurive dhe të ndjenjave njerëzore, të cilat e shoqërojnë poetin dhe botën dhe universin e tij, po dhe secilin njeri.

Në poezitë e Tonin Nikollit ‘vargëzohen’ bukur poetikisht atdhedashuria, malli, dhimbja, mërzia, shpresa, dëshpërimi dhe optimizmi i poetit për ngjarje e peripeci jetësore, të ngjizura bukur në fjalën e shkruar – në poezinë.

Librit i paraprijnë parathënia nga profesor Anton Nikë Berisha, ndërkaq poezitë janë shtjelluar në pesë cikle.

Atdheu dhe poezia

Atdheu dhe atdhedashuria janë trajtuar në rrafshe të ndryshme, letrare, filozofike, estetike dhe forma të tjera të artit që kur është krijuar bota njerëzore.

Nëse për Gustav Flaubert-in “Atdheu është si familja: vlerën ia njohim vetëm atëherë kur e humbim”, apo vlerësimi i Bjelinski-t “Kush nuk i takon atdheut të vet, nuk i takon as njerëzimit”, dashuria ndaj atdheut në vargjet e Toninit është një dashuri e çiltër, atdhedashuri e veçantë ashtu siç është edhe vetë atdheu!

Dashuria ndaj atdheut në poezinë e tij, është sublime dhe buron nga damarët e zemrës dhe mendjes, ngase siç thotë autori “Atdheu im është në qiell”.

Poeti e don atdheun e lirë, siç e çmon mendimin e lirë. Këto shqiptohen bukur në poezinë “Atdheu im është në qiell”, të cilin ai e do pa mure, pa gardhe, e pa vija kufitare.

Nuk njeh kapakë,

dyer,

dryna

zinxhirë,

pranga,

litarë.

Është i lirë,

Bun në QIELL! (f. 75).

Në vargun e Tonin Nikollit, tablotë poetike janë gërshetuar bukur përmes figurave stilistike, gjuhës së pasur e të pastër e cila krijon kënaqësi leximi.

Kështu, tek poezia “Bibla shqiptare”, në mënyrë metaforike, shkëmbin e shtrydhë në Gjak, fishkëllimën e ERËS e përkthen në FJALË, fijet e BARIT në SHKRONJA...për të sjellë gjurmët e lashta të rrënjës shqiptare në altarin Pellazg, që do ta pagëzojë Arbëri... (f. 80).

Poeti mjeshtërisht trajton edhe dukuri të shëmtuara që e shqetësojnë shpirtin e tij krijues. Ja se si shprehet tek poezia “Oda” në kohën kur Oda ishte institucion në vete, dhe kohën e sotme ku i ka humbur vlera:

Oda qe emër i madh, më i madh se Parlamenti

mblidhte rreth vatrës burrat hijerëndë.

Flisnin me radhë, asgjë s’ua lunte vendi,

për tokë e qiell, për babë e nënë.

.................................................................

Tash nuk është më... Kjo shpirtin ma lodh.

As miqtë nuk janë, kanë ndërruar mend.

N’këtë ODËN e sotme, ku fati më hodh’

i madh dhe i vogël, pjerdhin pa rend. (f. 18)

Se autori dëshiron të jetë përjetësisht i lidhur me rrënjën dhe atdheun e dëshmojnë edhe dy poezitë e dhëna në fillim të kësaj përmbledhje poetike:

Nuk dihet emri i tij i saktë,

Tonin Nikolli a Malli Poetik.

Herë shfaqej mirditor kryelartë,

Tjetër herë, zadrimor fisnik.

(Monografi postume, f. 11)

-------------------------------------

“Marku fle pranë Ndout.

Gjoni pranë Markut.

Unë pranë Gjonit, dua të fle,

Për t’u kujtuar bijtë,

Se kanë Atdhe...

(Monografi reale f. 13)

Motivi i dashurisë dhe motive të tjera

Në përmbledhjen poetike “Atdheu im është në qiell” të Tonin Nikolli, një vend të rëndësishëm zë edhe poezia që për motiv ka dashurinë.

Në çdo vend ngritëm Altar,

çdo objekt e njohëm prift.

u martuam si të marrë,

pa u rrëfyer...marrëzisht.

( Ishte prill f. 21)

Përmes vargut poetik, figura e Gruas në vargun e Toninit është trajtuar mrekullisht, si grua e si NËNË që nga ngjizja e fëmijës deri tek figurat e legjendave të cilat lidhen me sakrificën sublime të Gruas – Nënës:

Nëntë muaj botë magjike!

Nëntë dhimbje lumturie.

Nëntë rrahje të një zemre...

Nëntë vite,

Nëntë muaj,

Nëntë ditë.

Pak Ymer Agë,

Pak Gjergj Elez Ali.

Pak i ikur nga unë.

Shumë e ardhur ti.

(Grua, f. 82)

Autori është mjaft kritik edhe ndaj dukurive të shëmtuara; përmes vargjet të natyrës së tillë, synohet një katarsë shpirtërore:

Përpara se të vdes,

ju kërkoj ndjesë!

të mençur

dhe të marrë.

----------------

Piromanë,

dhe dorëzjarrë.

Se asnjë herë

nuk më bindët

se jeni vërtetë,

shqiptarë.

(Ndjesë, f. 83-84)

Ai lutet që gjërat të shkojnë më mirë në këtë botë të trazuar:

Zbutja urrejtjen,

atyre që s’dinë me dashtë!

Mësoji,

njeriu për njeriun,

të jetë më pak,

kafshë.

Amen!

(Lutjet e mija, f. 111)

Në ciklin e fundit autori dëshmon talentin e tij në krijimin e Haikut.

Vëllimi poetik “Atdheu im është në qiell” i Tonin Nikollit, dëshmon pjekurinë poetike të autorit për krijimin e vargut metrik me plotë figura stilistike dhe gjuhës së pasur poetike, dukuri kjo që profesor Anton Nikë Berisha në parathënien e librit do ta vlerësoi:

“Ai nuk i nënshtrohet ndonjë gjedhi (modeli) të caktuar krijues, po i kushton rëndësi gjuhës dhe të shprehurit figurativ, i cili e përcakton vlerën e secilës krijesë letrare. Të shprehurit e tij është i menduar, i pasur dhe modern, teksti përshkohet nga një varg simbolesh e metaforash, që kushtëzojnë komunikimin dhe ndikimin estetik në marrësin.” (f. 5-6)

Ky vëllim poetik, është figurativisht, një buqetë e bukur poetike që i dhurohet lexuesit dhe pa dyshim do të gjejë lexuesin e vet, sidomos ata që pasion e kanë poezinë dhe librat poetikë.

Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu” nga Gjilani me botuesin Sabit Rrustemin i takon një meritë e veçantë, për botimin e autorëve cilësorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat