Mjeshtri i Metodës, Daniel Day-Lewis

Kultura

Mjeshtri i Metodës, Daniel Day-Lewis

Më: 30 maj 2021 Në ora: 11:24
Daniel Day-Lewis

“Në emër të lirisë, u trete nga këtu, ta shohësh Diellin tek ndrit, në ditën e dikujt tjetër”, janë këto pjesë të vargjeve të këngës “In the Name of the Father”, nga filmi me po të njëjtin titull, që bazohet në vuajtjet reale që shkakton shteti te individi dhe familja sa herë që nuk zgjedh mjetet për të ndalë ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga sistemi!

Në film, rolin e Gerry Conlonit – që si i pafajshëm vuan 15 vite burg – e luan një prej aktorëve më të mëdhenj në historinë e filmit, Daniel Day-Lewis, fituesi i vetëm i tri çmimeve Oscar për rolin kryesor – për filmat “My Left Foot” (1989), “There Will Be Blood” (2007) dhe “Lincoln “(2012).

Ky është aktori që ka refuzuar më së shumti role. Për 20 vite, nga 1997 e deri më 2017, ka luajtur vetëm në shtatë filma.

Day-Lewis njihet si përfaqësuesi më eminent i Metodës (“Method Acting” – teknikë e aktrimit që në një mënyrë nënkupton shumë ushtrime dhe analiza, derisa aktori të krijojë një indentifikim emocional me karakterin që luan). Sekreti i tij pra është puna dhe përkushtimi!

Ai studion, punon dhe mishërohet me rolin që i caktohet: mëson çekisht (“The Unbearable Lightness of Being”, 1988); jeton për tetë javë si i paralizuar në karroce dhe kërkon ndihmë për të ngrënë (“My Left Foot”, 1989); jeton në male, ndërton kanu dhe ha ushqimin e gjuetisë së tij (“Last of the Mohicans”, 1992); flinte në një burg të braktisur (“In the Name of the Father”, 1993); nuk lahej, sepse donte që karakteri i tij të ketë edhe kutërbimin e standardeve të jetesës së shekullit XVI (“The Crucible”, 1996); me muaj ushtroi boks (“The Boxer”, 1997); punonte si kasap për çka përjetoi kallje të mushkërive, sepse nuk vishte rroba të ngrohta moderne po ato që njerëzit i kishin në shekullin XIX (“Gangs of New York”, 2002); u shpërngul nga shtëpia dhe jetoi një kohë larg gruas së tij për të përjetuar izolimin në ishull (“The Ballad Of Jack And Rose”, 2005); mësonte teknikën e nxjerrjes së naftës dhe të folmen e amerikanëve të fundit të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX (“There Will Be Blood”, 2007); i ka lexuar “veç” 100 libra për Abraham Lincolnin (“Lincoln”, 2012)…

Në dhjetor të vitit të kaluar doli filmi i fundit i tij, “Phantom Thread”. Ndërkaq, në fund të qershorit 2017 u dha lajmi se ai do ta lë aktrimin.

Më poshtë mund ta shihni pjesët më të mira të roleve të tij. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat