Dënohet me burgim efektiv 70 vjeçari i akuzuar për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë

Kosova

Dënohet me burgim efektiv 70 vjeçari i akuzuar për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë

Më: 24 prill 2018 Në ora: 17:16
Pamje nga seanca

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me një vit burgim efektiv, 70 vjeçarin, Ajet Ajeti, i cili akuzohej për legalizim të përmbajtjes së vërtetë.

Aktgjykimin ndaj tij, e ka shpallur të martën, gjykatësja e këtij rasti, Violeta Namani, sipas së cilës Ajetit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli e deri 20 prill të këtij viti.

Ndërsa, kjo gjykatë ka refuzuar aktakuzën për veprën penale “falsifikim i dokumentit”, pasi ishte arritur parashkrimi absolut i veprës penale.

Për të njëjtat vepra penale ishte i akuzuar edhe Naim Ajeti, mirëpo, pasi që ai gjendet jashtë shtetit, procedura ndaj tij ishte veçuar.

Ndryshe, për këtë rast gjyqësor ishin shtyrë mbi 10 seanca radhazi, për shkak se i akuzuari Ajeti kishte kërkuar shtyrjen e këtyre seancave për arsye të ndryshme.

Pikërisht, shtyrja e vazhdueshme e këtyre seancave kishte bërë që të zvarritet ky proces gjyqësor.

Gjykatësja Namani, për “Betimi për Drejtësi” kishte treguar se vazhdimisht kishte pasur vështirësi për mbajtjen e këtij gjykimi për shkak të shtyrjes së vazhdueshme të seancave.

E njëjta ishte detyruar që ndaj Ajetit të caktojë paraburgim prej 12 prillit e deri me 20 prill të këtij viti, për shkak se i njëjti nuk ishte paraqitur në gjykatë, sipas saj, me qëllim të zvarritjes së këtij procesi gjyqësor.

Ajet Ajeti akuzohej se më  9 shkurt 2010, kishte vënë në lajthim punëtorët e autorizuar të  Gjykatës Komunale në Prishtinë, për vërtetimin e një çështje të pavërtetë, e paraparë të shërbehej si provë.

Sipas prokurorisë, Ajeti edhe pse kishte qenë në dijeni për këtë, kishte prezantuar autorizimin e falsifikuar, gjoja se Radmilla Saviq e kishte autorizuar të njëjtin për shitjen e një parcele në sipërfaqe prej 468 m2, në vendin e quajtur “Pasko Vasa”. Ndërsa, duke qenë në lajthim mbi këtë fakt relevant, punëtorët e gjykatës kishin vërtetuar kontratën mbi bartjen e paluajtshmërisë.

Prokuroria, Ajetin e ngarkonte me veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”, nga neni 334, paragrafi 1 lidhur me nenit 23 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, e cila dënohet me burgim prej tre muajsh deri në pesë vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat