Lluka shpjegon në Facebook furnizimimin e “Kosovës së Re” me linjit

Kosova

Lluka shpjegon në Facebook furnizimimin e “Kosovës së Re” me linjit

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 20:33
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka shpalosur detaje nga marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Kosovës, ndërmarrjeve publike në Kosovë (KEK, KOSTT, Ibër-Lepenci) dhe “Contour Global” – investitorit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, Lluka ka shpjeguar se Marrëveshja për Furnizim me Linjit (MFL) rregullon marrëdhëniet ndërmjet “Contour Global” dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Sh.a.

“Marrëveshja për Furnizim me Linjit paraqet një bashkëpunim të ri mes palëve bazuar në raportet e shëndosha komerciale”, ka theksuar ai.

Sipas kreut të MZhE-së, çmimi i linjitit do të caktohet me mekanizëm që garanton transparencë dhe i cili reflekton kostot reale për zhvillimin dhe operimin e mihjes.

Shkrimi i plotë:

Kush do ta furnizojë termocentralin Kosova e Re me linjit?

Të nderuar qytetarë,

Me këtë shkrim të dytë po vazhdojmë të shpalosim temat më kyçe të dala nga marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Kosovës, ndërmarrjeve publike në Kosovë (KEK, KOSTT, Ibër-Lepenci) dhe ContourGlobal – investitorit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

Sot do të trajtoj rëndësinë dhe specifikat e Marrëveshjes për Furnizim me Linjit (ang. Lignite Supply Agreement), të cilën mund ta shkarkoni KËTU.

Së pari duhet të them se Marrëveshja për Furnizim me Linjit (MFL) rregullon marrëdhëniet mes ContourGlobal dhe Korporata Energjetike të Kosovës (KEK) Sh.a., ku lënda e marrëveshjes është furnizimi dhe shitja e linjitit për nevojat e gjenerimit të energjisë elektrike në termocentralin Kosova e Re.

Çmimi i linjitit që KEK do t’ia shes ContourGlobal përcaktohet sipas Metodologjisë për caktimin e këtij çmimi dhe sasisë së linjitit (Shtojca 1 e MFL-së). Ky mekanizëm lejon llogaritjen e çmimit të linjitit sipas kostove reale që KEK Miniera mund të ketë gjatë zhvillimit dhe operimit të mihjes të periudhave të ndryshme të furnizimit, përfshirë këtu investimet kapitale, koston e eksproprijimit dhe zhvendosjes, koston e rehabilitimit pas ngjarjeve të fuqisë madhore, si dhe mekanizma tjerë që kanë të bëjnë me përshtatjen e pagesave sipas sasisë dhe cilësisë të linjitit të furnizuar.

Marrëveshja, gjithashtu rregullon procedurat operative, politikën e sigurimeve, cilësinë e kontraktuar të linjitit, procedurat për përcaktimin e peshës dhe cilësisë së linjitit të furnizuar, operimin dhe mirëmbajtjen e deponisë (pranë TC Kosova B), rezervat e gatshme obligative të linjitit në deponi (së paku 15 ditë) dhe në mihje (së paku 3 muaj), si dhe pikën e livrimit (pranë TC Kosova e Re).

Marrëveshja ka për qëllim krijimin e marrëdhënieve të shëndosha komerciale mes palëve përmes transparencës. Marrëveshje të tilla do të nënshkruhen edhe me gjeneratorë të tjerë siç është TC Kosova B.

KEK-u, apo pasardhësi i Divizionit për Furnizim me Qymyr që mund të dalë nga procesi i shthurjes së mëtutjeshme të KEK-ut (KEK Miniera – ndërmarrje publike), do të ketë të drejtën ekskluzive për të shfrytëzuar një zonë të caktuar të fushës së linjitit (qoftë në fushën e Sibovcit apo në fushën Jugore, e që do të përcaktohet me Planin e Zhvillimit të Mihjes), me rezerva të mjaftueshme për të siguruar linjit për përmbushjen e zotimeve sipas kësaj MFL-je, apo edhe me MFL të ngjashme me gjeneratorë të tjerë.

KEK Miniera do të jetë e obliguar që të furnizojë të gjithë gjeneratorët në mënyrë të barabartë dhe çmimi i linjitit do të përcaktohen në mënyrë jodiskriminuese për të gjithë blerësit e linjitit.

KEK Miniera do të marrë përgjegjësinë për të gjitha elementet e mihjes së linjitit lidhur me Termocentralin Kosova e Re, përfshirë zhvillimin e minierës, investimin kapital, përmbushjen e të gjitha obligimeve mjedisore, sociale, të shëndetit dhe sigurisë, sigurimin e licencave dhe lejeve përkatëse, dhe përgjithësisht kryerja e të gjitha veprimeve dhe obligimeve lidhur me operimin e mihjes sipas kushteve të aplikueshme dhe ligjeve në vend. KEK Miniera do të marrë përgjegjësinë për të gjitha obligimet mjedisore lidhur me fushën e mbuluar nga Licenca për Shfrytëzim.

Kjo marrëveshje ka rëndësi të madhe për të siguruar vazhdimin e operimeve në minierat e KEK-ut, që përveç shumë benefiteve të tjera, siguron edhe vazhdimësinë e punësimit të sigurt të mijëra vendeve të punës në Miniera, të cilat mund të ishin rrezikuar po që se do të shkohej nga zvogëlimi i operimeve minerare. Po ashtu, me këtë arrihet edhe besimi i investitorit të TC Kosova e Re se KEK Miniera do të jetë furnizues i qëndrueshëm afatgjatë i lëndës së parë për Termocentralin Kosova e Re (bashkë me termocentralet e tjera). Me një fjalë, me këtë marrëveshje është arritur që të ruhen shumë vende të punës, e po ashtu të sigurohet profit nga shitja e linjitit për Termocentralin Kosova e Re, por edhe më gjerë.

KEK Miniera është përgjegjëse për:

Përditësimin e Planit të Zhvillimit të Minierës duke marrë parasysh zhvillimet e nevojshme të minierës që kërkohet për furnizimin e Termocentralit Kosova e Re, bashkë me furnizimin e termocentraleve të tjera dhe konsumatorëve të linjitit në Kosovë;

Zhvillimin e Planit të Financimit të Minierës (i cili mes tjerash do të adresojë financimin e kostove të nevojshme kapitale të kërkuara për zbatimin e Planit të përditësuar të Zhvillimit të Minierës);

Raporti i Caktimit të çmimit të linjitit, i cili do të rekomandojë çmimin e linjitit, i cili mundëson operimin e qëndrueshëm të minierës;

Vazhdimin e licencës ekzistuese të mihjes nga divizioni i mihjes i KEK-ut dhe modifikimet e një licence të tillë për të pasqyruar Planin e përditësuar të Zhvillimit të Minierës dhe arritjen e të gjitha lejeve, licencave dhe aprovimeve të nevojshme; dhe

Planifikimi dhe zbatimi i të gjitha masave të nevojshme për të përmbushur obligimet mjedisore, sociale, shëndetësore dhe të sigurisë të divizionit të mihjes të KEK-ut përfshirë VNM/VNMS dhe EMP-të lidhur me elementet e mihjes, dhe obligimet e zhvendosjes dhe ri-sistemit.

Plani i Zhvillimit të Minierës do të finalizohet gjatë vitit 2018.

Përfundim:

Ndërmarrja publike (shtetërore) qoftë KEK Sh.a. apo pasardhësi (KEK Miniera) do të ketë obligimin e furnizimit me linjit të gjithë gjeneratorëve ekzistues dhe të ri, bazuar në licencë të shfrytëzimin sipas kushteve dhe obligimeve ligjore në Kosovë;

Marrëveshja për Furnizim me Linjit paraqet një bashkëpunim të ri mes palëve bazuar në raportet e shëndosha komerciale;

Çmimi i linjitit do të caktohet me mekanizëm që garanton transparencë dhe i cili reflekton kostot reale për zhvillimin dhe operimin e mihjes;

Të gjithë gjeneratorët ekzistues dhe TC Kosova e Re do të kenë trajnim të barabartë dhe jo-diskriminues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat