Erërat e forta shkaktojnë dëme të shumta në Istog

Kosova

Erërat e forta shkaktojnë dëme të shumta në Istog

Nga: Adem Lushaj Më: 7 janar 2017 Në ora: 21:28
Istog

Erërat e forta dhe të ftohtit që ka përfshirë Komunën e Istogut, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bizneset dhe ekonomitë familjare te kësaj komune. Zyrtarët komunal dhe qytetarët, ka bërë të ditur se për ditë, pothuajse e tërë Komuna ishte me mungesë të energjisë elektrike, por edhe të ujit të pijes. Sipas Lulëzim Blakaj, nënkryetar i Komunës, një mot i tillë ishte edhe para pesë vitesh, duke bërë që të kemi humbje të mëdha, si në dëmtim të rrjetit elektrik, ekonomive familjare dhe bizneseve, gjë që ka shtyrë institucionin komunal të formon Komisionin për vlerësim të dëmeve dhe vlerësim të gjendjes së përgjithshme emergjente.

Ai, ka thënë se janë mobilizuar me të gjitha mundësitë që kanë, duke u ndihmuar edhe nga bizneset private, me qëllim të sanimit të gjendjes dhe kthimit të normalitetit të jetës në këtë komunë. “Sipas informacioneve të para, dëmet janë të mëdha, ndaj kemi kërkuar edhe ndihmën e qeverisë qendrore, ngase kapacitetet komunale nuk mund të mbulojnë humbjet që kanë bizneset dhe ekonomitë familjare”, është shprehur Blakaj, i cili ka falënderuar gjithë ata që kanë ndihmuar në forma të ndryshme në hapjen e rrugëve dhe normalizimit të gjendjes për qarkullim të lirë të qytetarëve.

Se, dëme kanë pësuar bizneset e kësaj komune, e pohon edhe Zeqir Mehmetaj, drejtor i radio Fontana në Istog, duke treguar se biznesi i tij, tash për tash ka humbje në vlerë mbi pesë mijë euro. “Ishte erë e fortë që nuk kemi marrë me mënd se do ndodh kjo, ashtu që na ka dëmtuar transmetuesit dhe prishur edhe stabilimentet e radios sonë”, ka nënvizuar Mehmetaj, për të cilin edhe më keq ishte kur qytetarët ishin rrezikuar me jetë nga kulmet e ndërtesave. “Njëri nga qytetarët është detyruar të transportohet për në spital, ngase llamarinat të cilat ishin zhvendos nga kulmet e kishin goditur në kohën kur ishte duke lëvizur rrugës”, ka bërë të ditur Mehmetaj, duke shpresuar që Komuna e tij dhe institucionet tjera të republikës së Kosovës, do iu dalin në ndihmë për të mbuluar humbjet e pësuara nga moti që mbretëroj në Istog. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat