Grabovci: Kufiri me Malin e Zi është zhvendosur pesë kilometra në brendi të Kosovës

Politika

Grabovci: Kufiri me Malin e Zi është zhvendosur pesë kilometra në brendi të Kosovës

Më: 14 qershor 2016 Në ora: 14:32
Adem Grabovci

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, e pranon që Marrëveshja për Demarkacionin, mes Kosovës dhe Malit të Zi, e lidhur në gusht të vitit të shkuar nuk është në rregull.

Duke folur për Info Box të RTV Dukagjinit, Grabovci tha se historikisht kufiri ka qenë te Kulla e Zhlepit, kurse me versionin aktual të cilin e ka nxjerr Komisioni shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, ai zhvendoset pesë kilometra në brendi të Kosovës.

“E di ku ka qenë zona kufitare edhe në kohën e luftës ku kemi has. Zona e mëhershme kufitare është në shpërpushje me versionin e Murat Mehës. Historikisht dihet se kufiri ka qenë në Kullë dhe diku pesë apo gjashte kilometra është tërhequr prapa në brendi të Kosovës”, ka thënë Grabovci.

Grabovci pohoi se në kohën sa ishte zëvendësministër në Ministrinë e Transportit, kompanitë e kontraktuara vendore kanë bërë mirëmbajtjen e rrugës deri në Kullë.

Deputeti që vjen nga rajoni i Dukagjinit, nuk e ka përjashtuar mundësinë që çështja e Demarkacionit të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit, apo edhe të rinegociohet me shtetin malazez, nëse ka fakte që dëshmojnë se Kosova me vijën e re kufitare humb 8 mijë hektarë tokë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat