Kompleksi “Baza e parë e UÇK-së” inaugurohet në ditën e Dëshmorëve të Llapit (Foto)

Kosova

Kompleksi “Baza e parë e UÇK-së” inaugurohet në ditën e Dëshmorëve të Llapit (Foto)

Më: 5 maj 2016 Në ora: 13:32

(E plotësuar) - Njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Zahir Pajaziti së bashku me bashkëluftëtarët e tij Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci janë kthyer sot në bazën e tyre.

Kësaj radhe jo si kanë qenë para rënies, por të skalitur bashkë në bronz.

Përmendorja e përbashkët e katër heronjve të rënë për liri është zbuluar sot në Kompleksin Memorial në fshatin Lladoc të Podujevës, në shtëpinë e cila për shumë vjet ishe baza e UÇK-së.

Prandaj ky kompleks i cili sot u inaugurua edhe zyrtarisht do të quhet “Baza e parë e UÇK-së”.

Shtëpia, e cila do të jetë edhe pikë vizite për shumë ata që duan të mësojnë nga historia më e re e Kosovës, ka qenë shtëpia ku ka lindur dhe është rritur heroi Hakif Zejnullahu.

Hakif Zejnullahu së bashku me Zahir Pajazitin dhe Edmond Hoxhën ka rënë më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë. Ndërsa bashkëluftëtari i tyre Ilir Konushevci bie në fushën e nderit një vit më vonë në një pritë në Shqipëri.

Për të inauguruar Kompleksin Memorial në Lladoc kanë marrë pjesë shu më ish-luftëtarë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, zyrtarë të Qeverisë si dhe zyrtarë të komunës së Podujevës.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, shtëpinë e Sabit Zejnullahut, babait të dëshmorit Hakif Zejnullahu, e ka krahasuar me Prekazin e Drenicës dhe Shqiponjën e Gjakovës, të cilat ishin shtëpi-bazë për ushtarët e UÇK-së.

Veseli: Monument i lirisë në shenjë të kontributit të sakrificës

“Lladoci është sikurse Prekazi në Drenicë , ashtu si Shqiponja në Gjakovë ishin bazat kryesore të UÇK-së, nga të cilat fillonin,nderoheshin,mbaheshin bashkëluftëtarët,vepronin luftëtarët, preheshin në bazë të sigurt, këto ishin bazat e sigurta të UÇK-së. E gjithë Kosova , e gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë krenar me heronjtë tanë, me heronjtë e kombit, janë krenar me njerëzit që kanë kaluar në këtë bazë të UÇK si Zahir Pa jaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konjushevci dhe Edmond Hoxha”, tha Veseli.

Sipas tij institucionet do të vazhdojnë edhe më tej angazhimin dhe përkushtimin për të quar Kosovën përpara.

Ceremonia e inaugurimit të Kompleksit “Baze e parë e UÇK-së” është mbajtur nën patronatin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

Në Lladoc në vend të tij ka marrë pjesë ministri i Punës Arban Abrashi, i cili tha se sakrifica e dëshmorëve të Kosovës janë të jashtëzakonshme.

Sipas tij duhet të cmohet edhe sakrifica e shumë familjeve shqiptare të Kosoëvs, të cilat shtëpitë e tyre i shndërruan si shtëpi të dyta për ushtarët e lirisë.

Abrashi: Dëshmorët ngjajnë me feniksin që ngrihet na hiri i vetë

“Ky dimension i jep vlera unike luftës tonë për liri, i jep vlerën humanizmit universal, sepse lufta e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci në fakt ishte luftë për ngadhënjimin e qytetërimit evropian përballë mundësisë së erës nacionale shoveniste të Millosheviqit dhe makinerisë së tij. Kosova pati vullnetin e pavdekshëm të djemve më të mirë për të jetuar të lirë në shtëpinë e veta, në tokën e të parëve, të cilët e deshën dhe e mbrojtën që kur dihet për historinë e kësaj pjese të botës. Veprimtaria e dhe rënia heroike e Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe Ilirit dhe të gjithë të rënëve të tjerë për altarin e shenjët të liri së atdheut le të dëshmojnë para botës se shqiptarët e Kosovës i ngjajnë feniksit që ngrihet nga hiri i vetë dhe nuk ligështohen asnjëherë , madje as atëherë kur të tjerët mendojnë se i kanë nënshtruar”, tha Abrashi.

5 maji për kryetarin e Podujevës Agim Veliu është ditë e përkushtimit të dëshmorëve dhe të rënëve për Kosovën.

Sipas Veliut ditët si kjo kanë n djesi të veçantë mallëngjimi por edhe nxitje e krenarisë së ligjshme për një qëndresë më të fortë.

Veliu: Përkujtimorët si ky kanë një ndjesi të veçantë mallëngjimi e përkujtimi

“Kjo vepër heronjsh dhe shumë të tjerëve dhe arritjet e çdo ditshme në rrugën tonë na bëjnë të vendosur për mirëqenie , demokratizim dhe standarde drejt të qenit anëtarë të institucioneve evropiane dhe euroatlantike”, tha Veliu.

Kompleksi Memorial në Lladoc është financuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa përmendoren e katër dëshmorëve e kanë bërë kryetari i Kuvendit, Veseli, kryetari i komunës, Veliu si dhe familjarët e dëshmorëve, Pajaziti, Zejnullahu, Hoxha dhe Konushevci.

Inaugurohet Kompleksi “Baza e parë e UÇK-së”

Në Lladoc të Podujevës është inauguruar kompleksi memorial “Baza e parë e UÇK-së”.

Me këtë rast është zbuluar edhe përmendorja e katër dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci.

Ceremonia e inaugurimit është mbajtur në Ditën e Dëshmorëve të Zonës Operative të Llapit.

Folësit në këtë inaugurim kanë vlerësuar lart veprën e heronjve.

“Baza e parë e UÇK-së” është ndërtuar në shtëpinë e dëshmorit Hakif Zejnullahu dhe është financuar nga Qeveria e Kosovës.

Hakif Zejnullahu ka rënë më 31 janar të vitit 1997 në fshatin Pestovë të Vushtrrisë së bashku me Zahir Pajazitin dhe Edmond Hoxhën.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat