Bekim Çollaku: E konfirmoj se liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt

Kosova

Bekim Çollaku: E konfirmoj se liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt

Më: 28 prill 2016 Në ora: 12:38

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa bashkë me ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Collaku kanë qëndruar në Bruksel, ku janë takuar me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe eurodeputeten, Ulrike Lunacek.

Temë e diskutimit në takimin e shumëpërfolur ishin proceset integruese evropiane, më saktësisht çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas një njoftimi të kryeministrisë, presidenti Juncker ka përgëzuar Kosovën për progresin e arritur në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, duke theksuar përkrahjen e KE-së në proceset tjera eurointegruese.

Lidhur me këtë, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë për Indeksonline se takimi i djeshëm në Bruksel ishte shumë pozitiv dhe korrekt.

“Takimi ka qenë shumë pozitiv dhe korrekt. Kemi diskutuar të gjitha çështjet e interesit të përbashkët, duke përfshirë procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Çollaku.

Ai përsëriti se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara me udhërrëfyes dhe se presin që sa më shpejt të vije vendimi pozitiv për vizat.

“Ne kemi adresuar dhe përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara me udhërrëfyes. Ndërsa e kemi bërë të qartë se në momentin e duhur do të procedohet edhe me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ne i respektojmë partnerët tanë, në këtë rast Bashkimin Evropian dhe me durim do të presim vendimin e tyre. Por e konfirmoj që ky vendim do të vije shumë shpejt”, ka thënë Çollaku.

I pyetur nëse 4 maji do të jetë dita kur Kosova do të pranoj lajmin pozitiv për vizat, ministri Çollaku ka thënë se si ministër dhe udhëheqës i këtij procesi, përmbahet nga komentimi i spekulimeve mediale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat