​Përkujtohen dy të vrarët në demonstratën e 10 shkurtit të VV-së

Kosova

​Përkujtohen dy të vrarët në demonstratën e 10 shkurtit të VV-së

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 17:22

Duke kujtuar demonstratën e 10 shkurtit të vitit 2007, e organizuar për të kundërshtuar Pakon e Ahtisaarit, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje thanë se edhe sot po vazhdojnë të kundërshtojnë atë plan, duke kundërshtuar formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, të cilës Vetëvendosje i referohet në serbisht si “Zajednicë”.

Mon Balaj e Arben Xheladini, dy protestuesit që u vranë nga policia rumune e UNMIK-ut derisa protestonin kundër negociatave Kosovë-Serbi dhe Pakos së Ahtisaarit, nga Lëivzja Vetëvendosje u përkujtuan si dëshmorë që mbajn një vend të veçantë.

LVV shfaqi dokumentarin kushtuar protestës së 10 shkurtit 2007, të organizuar nga Vetëvendosja, protestë kjo në të cilën përveç vrasjes së Balajt dhe Xheladinit, të lënduar mbetën edhe dhjetëra protestues.

Në një dokumentar që flet për rrjedhën e demonstratës së 10 shkurtit dhe reagimet pas saj, aktivistët e LVV-së e kanë ndarë atë në pesë kapituj: demonstratën, dhunën policore, reagimet, pasojat dhe homazhet.

Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha 10 shkurti i 2007-ës e konstituon përfundimisht komunitetin e të panënshtruarve.

Sipas Konjufcës, 10 shkurti e formulon dialektikën mes jetës dhe vdekjes. “Ose jeton duke vdekur, ose vdes duke jetuar”, tha Konjufca.

Ai tha Balaj e Xheladini ranë për idenë.

Glauk Konjufca: Arben Xheladini dhe Mon Balaj kanë vend të veçantë

(Video) 07:10

“Vendi i këtyre dëshmorëve është i veçantë, sepse ata kanë rënë për idenë, pa kurrfarë trysnie për humbjen e ekzistencës”, tha ai.

Tutje, Konjufca tha se 10 shkurti banon në rrafshin e sublimitetit human, si gjakim i lirisë dhe drejtësisë universale.

Glauk Konjufca: Plani i Ahtisarit duhet të kundërshtohet

“Ideja esenciale e 10 shkurtit është kjo: Plani i Ahtisarit duhet të kundërshtohet, jo thjesht për atë çka ai përmban në germë, si plan i shkruar, por mbi të gjitha sepse për nga definimi, ky plan, plani Ahtisarit, është i mbarsur me degradimin e pandalshëm në favor të Serbisë. Dhe tash n dodhemi pikërisht në atë moment. Në momentin e kundërshtimit të ‘Zajednices’, që në formë embrionale ndodhet tek plani i Ahtisarit”, tha ai.

Konjufca tha se 10 shkurti hyn në trashëgiminë e vlefshme të rezistencës që duhet të shkatërrojë iluzionin e lirisë.

Për të nderuar dy protestuesit që u vranë në protestën e Vetëvendosjes, në vitin 2007, aktivistë të kësaj lëvizje, familjarë e qytetarë, bënë sot homazhe tek pllaka e Mon Balajt e Arben Xheladinit, në sheshin “Nënë Tereza”.

Ata vizituan edhe familjet e të vrarëve dhe bënë homazhe pranë varreve të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat