LDK kërkon që forcat politike të veprojnë në bazë të Kushtetutës

Kosova

LDK kërkon që forcat politike të veprojnë në bazë të Kushtetutës

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 19:13

(E plotësuar) - Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbajti sot mbledhjen e saj të rregullt, ku u diskutua për proceset kryesore politike në vend, për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe për procesin e përgatitjes së Konventës së Punës së LDK-së.

“Kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, e njoftoi Kryesinë e LDK-së për procesin e ndryshimeve statutare të LDK-së, si dhe proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova”, thuhet në komunikatë.

Kryesia e LDK-së e vlerësoi punën e kryeministrit Mustafa dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe theksoi nevojën e vijimit të qeverisjes së vendit në bazë të vullnetit dhe të interesit të qytetarëve të Kosovës, të shprehur me votë.

Po ashtu, kryesia e LDK-së vlerësoi se është e domosdoshme që të gjitha forcat politike të veprojnë në bazë të Kushtetutës, të frymës institucionale dhe të punojnë për interesin e Kosovës e të qytetarëve të saj, duke tejkaluar interesat e ngushta partiake e personale.

Mblidhet kryesia e LDK-së, Veliu: Të respektohet marrëveshja e koalicionit

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur në një takim në selinë e partisë.

Nënkryetari i saj Agim Veliu, për KK, ka thënë se mbledhja është thirrur për t’i diskutuar disa çështje statutore, ndërsa ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në skenën politike në vend – përfshirë zgjedhjen e presidentit të vendit dhe zgjedhjet e përgjithshme të cilat është duke i kërkuar opozita.

Veliu ka thënë se marrëveshja e partnerëve të koalicionit duhet të respektohet, përfshirë edhe zgjedhjen e Hashim Thaçit president i vendit, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme ka thënë se duhet të mbahen në afatin kushtetues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat