Familjarët e të zhdukurve në Podujevë kërkojnë të dinë për fatin e 40 të zhdukurve

Kosova

Familjarët e të zhdukurve në Podujevë kërkojnë të dinë për fatin e 40 të zhdukurve

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 11:41

Sot në fshatin Orllan me organizim të Shoqatës për Personat e Pagjetur “Përkorë” në Podujevë, është mbajtur një takim me familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Komunën e Podujevës.

Kryetari i shoqatës “Përkorë”, Latif Mehmeti, në takim ka thënë se në komunën e Podujevës ende evidentohen 40 persona të zhdukur nga lufta e fundit.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, ka thënë se janë duke u kryer gërmime në rrethin e Rashkës në Serbi, ku dyshohet për varrezë masive, ndërsa nuk e ka mohuar mundësinë që varreza masive mund të jetë edhe në Kosovë.

Familjarët e personave të pagjetur, duke e falënderuar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për ndihmën dhe përkrahjen që i kanë ofruar familjeve që nga përfundimi i luftës, kanë kërkuar intensifikim të aktivitetit për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, për fatin e të cilëve nuk dihet tash 16 vite.

Në takim prezent ishte edhe Naim Uka nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore për procesin e identifikimit të mbetjeve mortore n ë morgun e Prishtinës.

Ndërsa, në emër të Komunës së Podujevës përkrahje të vazhdueshme familjet e të pagjeturve premtoi Agron Hyseni, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Gjithsej të zhdukur në Kosovë llogaritet të jenë 1,671 persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat