Bajrami: I politizuar është Senati e jo Rektori Zejnullahu

Kosova

Bajrami: I politizuar është Senati e jo Rektori Zejnullahu

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 13:24

Me disa vërejtje, që mbeten të diskutohen në vazhdim, Komisioni Parlamentar për Arsim miratoi në parim në lexim të parë, Projektligjin për Arsimin e Lartë. Ministri Arsim Bajrami, arsyetoi para deputetëve ndryshimet që ka sjellë në këtë Projektligj, duke thënë se do të ndihmojnë në rregullimin e arsimit të lartë dhe se janë praktika evropiane.

Ai tha se për herë të parë ky ligj rregullon sesi operon një universitet ndërkombëtar në Republikën e Kosovës, gjë që nuk ka qenë më parë si dhe do të përcaktohen mënyra të reja të menaxhimit të arsimit të lartë.

Bajrami tha se me këtë nënkuptohet se do të organizohet një sistem krejtësisht i ri i qeverisjes, sidomos të universiteteve publike, pra roli i rektorit, senatit dhe të këshillit drejtues në një universitet të tillë.

Arsim Bajrami: Ndryshime rrënjësorë në rektorat

“Kemi propozuar që rektori, të jetë një autoritet menaxhues dhe qeverisës i cili do të zgjidhet nga senati dhe do të ratifikohet në këshillin drejtues. Kemi rishikuar në substancë rolin e senatit duke larguar nga përbërja e senatit dekanët e fakultetit dhe rektorin e universitetit, për t’i ndarë pushtetet. Aktu alisht senati udhëhiqet nga rektori, dhe anëtarët e senatit me automatizëm janë të gjithë dekanë. Në pikë pamjet e ministrisë kjo është shpjeguar jo funksionale për shkak se jo rrallë kemi pas konflikte të interesave, kështu që me këtë ligj kemi propozuar që senati të ketë një kryetar të senatit dhe nga dy përfaqësues të çdo fakulteti që nuk do të jenë dekanë”, tha Bajrami.

Në Komision ministri Bajrami është përballur edhe me pyetjet e kryetarit të Komisionit Nait Hasani.

Hasani i cili është në të njëjtën parti me ministrin Bajrami, në PDK, ka thënë se shkarkimi e më pastaj kthimi në punë i rektorit Ramadan Zejnullahu, shkarkimi i Shefkije Islamaj nga Këshilli Drejtues dhe thirrjet opër zgjedhje në UP tha se janë marrë në kundërshtim me ligjin.

Hasani: Ministria ka vepruar në kundërshtim me ligjin

“Atëherë nuk kemi autonomi të universitetit. Universitetet vet i bëjnë zgjedhjet. Senati është ai që shkarkon. Ministria ka ndërhy, ka ndërhy Qeveria, dhe kemi deklaratat e juaja që do të ,bahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, zgjedhjet i keni shpallë ju e jo universiteti dhe këto zgjedhje janë të paligjshme në kohën e shpalljes, dhe është i paligjshëm shkarkimi e kthimi i rektorit, po ashtu i paligjshëm është shkarkimi i Shefkije Islamit. Këto janë shumë parregullsi”, u shpreh Hasani.

Por, sipas ministrit, Këshilli Drejtues i cili përbëhet nga pesë përfaqësues të Senatit, katër përfaqësues të Ministrisë dhe një ndërkombëtar, në një mbledhje të paligjshme, me një shkelje të procedurës së përgjithshme administrative, ka bërë shkarkimin e rektorit me një propozim të pabazuar ligjor mbi bazën e një peticioni.

Për këtë, ai thotë se të gjitha vendimet që ka marrë ai janë bërë për të funksionalizuar punën në këto institucione, dhe se me vendime të tilla nuk është cenuar autonomia e UP-së.

Arsim Bajrami: Veprimet e ministrit janë konform ligjit

“Asnjë element të ndërhyrjes politike nuk ka për shkak se partitë politike kanë pas pozicione tjera. Unë kam përgjegjësi para detyrës që kam marrë,dhe kam ushtruar kompetencat e mia ligjore edhe duke shkuar në zgjedhje, sepse nëse bllokohet universiteti, Qeveria dhe shteti e kanë për obligim të bëjnë gjithçka që të mbrohet interesi publik, dhe ne kemi vendosë zgjedhjet që janë pranuar nga të gjitha palët”, tha ai.

Pasi që shkarkimi i rektorit, Ramadan Zejnullahu, nga ana e Këshillit Drejtues të Rektoratit, u cilësua si i paligjshëm nga Ministria e Arsimit, ai u kthye përsëri në ushtrimin e detyrës së tij si rektor deri në zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë vendosur të mbahen në janar të vitit 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat