Latifi: Pikturat në Kuvend, zgjidhje e përkohshme

Kosova

Latifi: Pikturat në Kuvend, zgjidhje e përkohshme

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 14:48

Blerim Latifi, këshilltari politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka arsyetuar mbulimin e pikturave me motive kombëtare, duke thënë se shefi i tij ka qenë i obliguar të respektojë qëndrimet zyrtare të katër legjislaturave të më hershme, deri në një vendimmarrje të re.

Ai ka thënë se vendimi i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli lidhur me muralet në hollin e Kuvendit është vazhdimësi e bartur formale e qëndrimeve të katër legjislaturave të mëparshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me këtë çështje.

Sipas tij, shumë nga ata që sot po bëjnë zhurmë rreth muraleve, kanë qenë vet pjesë vendimarrëse në formësimin zyrtar të po këtyre qëndrimeve. Kryetari Veseli nuk ka qenë pjesë e këtij qëndrimi të mëhershëm zyrtar.

“Në këtë kontekst, Kryetari Veseli ka qenë i obliguar të respektojë qëndrimet zyrtare të kryesive të deritanishme të Kuvendit, deri në një vendimmarrje të re. Zgjidhja aktuale është e përkohëshme, ashtu siç janë edhe artistikisht shumë të diskutueshme, nga profesionistët e artit, muralet në hollin e Kuvendit. Kryetari Veseli, do të propozoj një konferencë me profesionistë të fushës së artit me qëllim që në muret e Kuvendit të Kosovës të prezantohen vepra me vlera të vërteta artistike, kombëtare dhe universale. Historia dhe identeti ynë kombëtar është tepër i çmuar, prandaj as nuk mund të lihet në duart e joprofesionistëve, e as nuk mund të bëhet objekt i manpulimit për qëllime të politikës ditore”, thuhet në një komunikatë për media dërguar nga Blerim Latifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat