LDK-ja, kritikë Veselit

Kosova

LDK-ja, kritikë Veselit

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 08:58

Zbatimi i Rregullores së Punës së Kuvendit po shihet domosdoshmëri për zhbllokimin e Punës së Kuvendit

Për herë të parë partia e kryeministrit, Isa Mustafa, LDK, e cila është partnere e koalicionit me PDK-në, i ka kërkuar kryeparlamentarit, Kadri Veseli, që t’i ndalë taktizimet dhe të respektojë Rregulloren e Punës së Kuvendit për të mundësuar funksionimin e Parlamentit.

Zbatimi i Rregullores së Punës së Kuvendit po shihet domosdoshmëri për zhbllokimin e Punës së Kuvendit, e cila ia mundëson kryetarit Veseli që t’ua ndalojë pjesëmarrjen në seanca deputetëve që pengojnë punën e Kuvendit sikurse të fusë në sallë sigurimin e Kuvendit.

Megjithatë, zhvillime dramatike dhe skenarë nga më të ndryshmet pritet të përdoren nga opozita sërish këtë të enjte, kur është thirrur seanca plenare.

Tri partitë politike opozitare, të cilat janë bashkuar në një front të përbashkët opozitar, vazhdojnë të jenë të palëkundura në pozicionet e tyre, duke dërguar mesazh të qartë se do të vazhdojnë me bllokimin e punës së Kuvendit, derisa kryeministri, Isa Mustafa, nuk tërheq nënshkrimet nga Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Por, të njëjtën kohë shefi i Qeverisë Mustafa ka bërë të qartë se nuk do t’i tërheqë nënshkrimet nga marrëveshjet e arritura. Në gjithë këtë situatë dramatike, në të cilën është zhytur Kuvendi i Kosovës tash e një muaj, pritet ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, i cili megjithatë i ka bërë thirrje opozitës që t’i ndalë veprimet e dhunshme dhe të mundësojë funksionimin e Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat