Thaçi: Opozita ka filluar ta cënojë integritetin personal dhe shëndetin e deputetëve

Kosova

Thaçi: Opozita ka filluar ta cënojë integritetin personal dhe shëndetin e deputetëve

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 17:53

Zëvendëskryeministri dhe Ministri për Punë të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas ngjarjëve në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një postimit në Facebook,Thaçi ka thënë se opozita nuk është duke cenuar vetëm demokracinë në Kosovë por ka filluar të cenojë edhe integritetin personal, dinjitetin e madje edhe vet shëndetin e deputetëve të Kosovës

“Jam thellë i zhgënjyer me dhunën e ushtruar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sot kanë pësuar edhe ata që ia kushtuan jetën e tyre idesë për një Kosovë të lirë, ku çdokush ka të drejtë të ketë mendimin e vet, të shprehë mendimin e vet dhe të veprojë për të jetësuar synimet dhe aspiratat e veta, pa u frikësuar se do të dhunohet nga ata që mendojnë ndryshe.
Opozita nuk është duke cenuar vetëm demokracinë në Kosovë por tani ka filluar të cenojë edhe integritetin personal, dinjitetin e madje edhe vet shëndetin e deputetëve të Kosovës. E duke sulmuar deputetë, duke penguar punën e Kuvendit, opozita po vepron drejtpërdrejt edhe kundër vet themeleve të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Prandaj, jam i zhgënjyer. Ndihem më lehtë vetëm kur shoh që kjo sjellje e papranueshme është duke u dënuar nga të gjithë në Kosovë, duke e lënë opozitën të vetmuar në verbësinë e saj. I përgëzoj deputetët nga partia ime si edhe ata nga koalicioni qeverisës, si edhe Kryesinë e Kuvendit, që vazhdimisht po tregohen të matur, të kujdesshëm, me dinjitet, dhe po i kthejnë shpinën provokimeve dhe dhunës të cilës po i nënshtrohen në institucionin më të lartë politik të shtetit tonë. Nuk do të ketë zgjerim të koalicionit, zgjedhjet e ardhshme do të jenë në vitin 2018, nuk do të ketë tërheqje të nënshkrimit nga marrëveshjet dhe do të jemi edhe më të vendosur për të punuar për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO dhe për të ruajtur miqësinë e përhershme me SHBA-në. Asnjë presion, shantazh apo dhunë nga kushdoqoftë, nuk do të ndalë konsolidimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Thaci në Facebook./A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat