LDK reagon ndaj Haradinajt, ka për qëllim njollosjen e institucioneve

Kosova

LDK reagon ndaj Haradinajt, ka për qëllim njollosjen e institucioneve

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 19:22

LDK ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke thënë se deklarata e Haradinajt ka vetëm një qëllim, njollosjen e udhëheqësve legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës.

"Deklarimi i z. Ramush Haradinaj, i cili duke komentuar spekulimet e medieve serbe dhe arsyetuar dështimet e tij të vazhdueshme në sferën politike dhe zhgënjimin e qytetarëve përballë premtimeve të tij, ka vetëm një qëllim, njollosjen e udhëheqësve legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe nuk përkon aspak me realitetin", thuhet në reagimin e LDK-së.

"Opinioni publik është dëshmitari më i mirë se z. Haradinaj, në veçanti kohëve të fundit, ka manifestuar dhe po vazhdon të manifestojë sjellje joinstitucionale, duke besuar se kjo do t’i kontribuojë agjendës së tij për marrjen e pushtetit, pavarësisht dëmit evident që mund t’i bëhet proceseve në vend".

"Lidhja Demokratike e Kosovës fton të gjitha subjektet politike që të shmangen nga sjelljet dhe veprimet joinstitucionale të cilat dëmtojnë interesat e shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe partneritetin e çmuar me SHBA-të dhe vendet e BE-së, pavarësisht agjendës personale apo grupore të tyre", thuhet në reagimin e LDK-së.

Ky reagim i subjektit politik të Isa Mustafës vjen pas deklaratës së Ramush Haradinajt se "shkrimi në mediat serbe se ai ka financuar me 100 mijë euro Listën Serbe është gatuar nga klani Mustafa dhe partnerët e tij serbë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat