Përfundon Testi i Maturës Shtetërore

Kosova

Përfundon Testi i Maturës Shtetërore

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 12:50

(E plotësuar) Drejtuesit e Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, thanë për Radion Evropa e Lirë, se testet janë shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat, ku është paraparë të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore, në afatin e gushtit pjesa e dytë.

Pjesa e parë e testit të maturës për afatin e gushtit është mbajtur, më 29 gusht.

Testit kësaj radhe i janë nënshtruar rreth 16 mijë maturantë tha Azem Guri, kryetari i Komisionit të Provimit të Maturës Shtetërore.

“Testi është mbajtur në 162 qendra testimi”, deklaroi Guri.

Bajrami vizitoi maturantët në dy qendra testimi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami ka vizituar sot maturantët, të cilët i janë nënshtruar pjesës së dytë të Provimit të Maturës Shetërore (afati i gushtit), në dy qendra të testimit në Deçan.

Gjatë vizitës në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” dhe në shkollën e mesme teknike “Tafil Kasumaj”, ministri Bajrami iu ka uruar maturantëve suksese në Provimin e Maturës, ndërsa, ka theksuar se rezultatet do të shpallen me kohë, në mënyrë që ata të kenë mundësi të aplikojnë për regjistrim në universitete në afatin e dytë.

Ministri ka përmendur faktin se MASHT e ka prioritet ngritjen e cilësisë dhe në këtë drejtim ka përmendur punën që po bëhet për trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe të drejtorëve për një menaxhim të mirë. Ministri tha se do të fillojë pilotimi i projektit të digjitalizimit të shkollave, projekt i cili mundëson kalimin nga shkolla klasike në shkollë moderne.

Bajrami, me këtë rast, përgëzoi administruesit për menaxhim të suksesshëm të Provimit të Maturës, i cili sivjet po zhvillohet në hapësira të vogla, pra në klasa, ndërsa tha se vitin e ardhshëm do të ketë ridizajnim të Maturës.

Ministri Bajrami gjatë vizitës në shkollën e mesme teknike “Tafil Kasumaj”, ka vizituar laboratoret e kësaj shkolle.

Më pas, ministri ka marrë pjesë edhe në përurimin e librit me poezi “Sikur të isha arkitekt”, te nxënësit të klasës së gjashtë të shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” të Deçanit, Erjon Hadërgjonaj., ku theksoi se MAShT do të mbështesë gjithmonë talentët e rinj.

Ndërsa, Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës konfirmon se testet janë shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e testimit në gjithë Kosovën dhe gjithçka është duke shkuar në rregull.

Në afatin e gushtit, Provimit të Maturës Shetërore i janë nënshtruar rreth 16 mijë maturantë në 162 qendra të testimit. Testi përmbanë 80 pyetje nga lëndët e afërta me profesionit dhe është përgatitur në gjuhën shqipe, turke, boshnjake dhe serbe dhe testimi zgjatë 180 minuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat