​Askush nga politika dhe shoqëria civile nuk i përgjigjet protestës së të shtunës

Kosova

​Askush nga politika dhe shoqëria civile nuk i përgjigjet protestës së të shtunës

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 17:15

Protesta e thirrur në rrjetet sociale me moton “Pa parti për qeveri, Jo Republika Srpska brenda territorit të Kosovës” nga individ apo grup anonim, duket se nuk do të marrë përkrahjen e njerëzve të cilëve edhe organizatorët e saj i kanë bërë ftesë për të qenë në ballë të këtij organizimi.

Se a do të marrë pjesë apo jo kreu i Vetëvendosjes Visar Ymeri dhe ish-lideri i saj Albin Kurti, KosovaPress nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga ky subjekt politik të cilët gjatë tërë ditës nuk kanë qenë të lirë për të dhënë një prononcim lidhur me pjesëmarrje apo jo të krerëve të saj në këtë organizim.

Në anën tjetër, zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj tha për KosovaPress përmes telefonit se lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ende nuk ka pas ndonjë telefonatë apo ftesë zyrtare nga askush për të marrë pjesë në këtë protestë.

Nitaj theksoi se subjekti i tij është serioz dhe nuk mund të bazohet vetëm në një ngjarje të krijuar në rrjetin social Facebook, dhe pa e ditur se kush qëndron prapa saj, dhe cila do të jetë rrjedha e protestës.

Ndërkohë Policia e Kosovës ka bërë të ditur për KosovaPress se ende nuk ka asnjë njoftim apo paralajmërim për nj ë protestë të mundshme.

Agron Borovci zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, tha se deri në këto momente nuk ka ndonjë paralajmërim për protestë apo njoftim në PK për mbajtjen e saj.

Borovci theksoi se PK ka parë nëpër rrjetet sociale paralajmërimin për organizimin e një proteste gjithëpopullore, dhe se ka filluar të hetojë se kush qëndron prapa këtij organizimi.

Borovci: Policia nuk ka marrë asnjë njoftim për këtë protestë

“Ajo çka është e rëndësishme që duhet theksuar është fakti se deri në këtë moment asnjë njoftim zyrtar, asnjë kërkesë zyrtare Policia nuk ka pranuar nga ana e çfarëdo institucioni ose çfarëdo individi apo organizatori për një organizim të mundshëm të mbahet ditën e shtunë. Çështja tjetër është se duke parë disa publikime, postime, disa thirrje nga thirrës anonim për organizimin e një proteste nëpër rrjetet sociale dhe në botën virtuale pra natyrisht që policia ka filluar që t’i hulumtojë apo që t’i hetojë dhe të shohë se kush qëndron prapa tyre”, tha Borovci.

Sipas tij edhe pse kjo kërkesë ende nuk është dorëzuar në polici organizatorët eventualë të saj kanë ende kohë të bëjnë një veprim të tillë, pasi që për njoftimin e një proteste duhen 72 orë para mbajtjes së saj.

Borovci: Ka ende kohë që kjo protestë të njoftohet

“Në aspektin kohor ende ka kohë që thirrësit e kësaj proteste, ose organizatorët eventualë të saj të paraqesin kërkesën zyrtare pranë policisë në mënyrë që policia më pas të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve që ka. Mirëpo në anën tjetër duke pas parasysh që policia është institucion kompetent për garantimin e rendit dhe sigurisë, natyrisht që po ndërmerr veprime të tjera për hulumtimin , pra për sqarimin e këtyre thirrjeve mirëpo në një nivel më të ulët”, tha Borovci.

Ai bëri të ditur se në momentin kur PK të jetë e informuar dhe të paralajmërohet në këtë institucion do të kuptojnë se kush qëndron parapa saj dhe për masat që duhet të ndërmerren nga ana e policisë për ruajtjen e rendit publik.

Njëri ndër të ftuarit për të marrë pjesë në këtë protestë është edhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili tha për KosovaPress se ka dëgjuar për një ftesë të tillë, mirëpo atë askush nuk e ka ftuar deri më tani dhe se ai rrjedhimisht deri më tani nuk ka shfaqur ndonjë interesim për të marrë pjesë në të, meqë nuk dihet adresa e saktë se kush qëndron prapa saj.

Ndërkohë deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës Nait Hasani i kontaktuar nga KosovaPress tha se protes tat e tilla pa organizator janë të rrezikshme dhe se ai nuk është i interesuar të marrë pjesë në një protestë të cilës nuk i dihet organizatori.

“Qëllimi i protestës që është kërkuar pa organizatorë, përmes Facebook pa adresë është vetëm një degradim i vlerës së protestës. Duhet të ketë organizator protesta, duhet të ketë qëllim, duhet të ketë një organizator që mban rendin, që tregon kush do të mbajë fjalime, kush do të japë përgjegjësi për dëmtimet e mundshme, dhe se cili do të jetë karakteri i protestës”, tha Hasani përmes telefonit.

Astrit Gashi, kryeredaktori i Gazetës Blic, ndaj të cilit në njoftimin në Facebook gjithashtu është bërë ftesa që të jetë në mesin e atyre që do i prijnë protestës, për KosovaPress përmes telefonit tha se ai për këtë thirrje ishte njoftuar nga miqtë, por se ende nuk ka marrë asnjë ftesë as përmes emailit elektronik, as telefonit e asnjë forme tjetër, duke thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë organizim.

“Ftesë nuk kam pas as në email, as ngado, as nuk po e di se kush e ka dërguar. Kjo është anonime dhe jo serioze, prandaj çdo përgjigje tjetër për këtë çështje po më duket e tepërt”, tha Gashi.

Në mesin e atyre që i janë përgjigjur negativisht kësaj ftesë është edhe kryeredaktorja e gazetës Zëri Arbana Xharri e cila për KosovaPress ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e kësaj proteste.

Para tri ditësh në rrjetin social Facebook është krijuar një ngjarje në të cilët thuhet se “Me datën 5 shtator 2015, në ora 14:00 ftohet i gjithë populli i Republikës së Kosovës të marrin pjesë në protestën gjithë popullore për të pa drejtat që po ju bëhen qytetarëve të Kosovës”.

Më tej në këtë njoftim thuhet se kjo protestë nuk është e organizuar nga asnjë parti apo organizatë e caktuar dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër përpos shprehjen e pakënaqësisë së qytetarit të thjeshtë nga gjendja e mjerueshme politike dhe ekonomike në Kosovë, duke i bërë kështu ftesë deputetëve, shoqërisë civile dhe qytetarëve që të përkrahin protestën dhe të marrin pjesë në të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat