Cili mund të jetë raporti i AKS-së me Gjykatën Kushtetuese (Video)

Kosova

Cili mund të jetë raporti i AKS-së me Gjykatën Kushtetuese (Video)

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 22:11

Fuqinë e Presidencës, Qeverisë, dhjetë deputetëve apo Avokatit të Popullit do ta ketë Bashkësia e Komunave Serbe në raport me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Marrëveshja për këtë mekanizëm, në pikën 11 parasheh që Asociacioni të ketë të drejtë që t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretimin e tyre sa herë që vlerësojnë se ka pasur ose mund të ketë shkelje kushtetuese në një veprim.

“Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të iniciojë apo të marrë pjesë në procedurat para gjykatave kompetente, përshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, kundër çfarëdo akti apo vendimi të cilitdo institucion e që ndikon në ushtrimin e fuqive të Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me statutin e tij”, thuhet në këtë pikë.

Deri më tash vetëm Presidenca, Qeveria, Avokati i Popullit dhe nënshkrimet e dhjetë deputetëve kanë pasur të drejtën e referimit të lëndëve në Gjykatën Kushtetuese.

Burime ndërkombëtare i kanë thënë RTV Dukagjinit se kjo do të mundësojë që serbët ta çojnë para Gjykatës Kushtetuese cilindo institucion kosovar që nuk e respekton ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe të referojnë para Kushtetuese cilindo rast tjetër kur vlerësojnë se qytetarëve të komunitetit serb u është bërë e padrejtë.

Të njëjtat burime kanë shpjeguar se pikë tjetër e rëndësishme e marrëveshjes është e dyta. Kjo pikë thotë se Asociacioni do të krijohet në bazë të marrëveshjes që i njeh karakterin e veçantë.

“Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të aprovojë një dekret drejtpërdrejtë të aplikueshëm, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Bashkësia/Asociacioni do të jetë entitet legal i definuar nga statuti i tij”.

Sipas kësaj pike, Asociacioni nuk do të jetë OJQ siç ka deklaruar zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, por as nuk do të jetë e ngjashme me Asociacionin e Komunave të Kosovës pasi do të ketë karakter të veçantë.

Detajet tjera do të definohen ne statutin e Asociacionit, pasi që pjesa tjetër e marrëveshjes së arritur në takimin e fundit në Bruksel flet vetëm për norma bazike, por jo për detaje të funksionimit të këtij mekanizmi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat