​Tollovi në seancën e komunës së Mitrovicës, në rrezik edhe koalicioni AKR -LDK

Kosova

​Tollovi në seancën e komunës së Mitrovicës, në rrezik edhe koalicioni AKR -LDK

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 16:51

Seanca e Kuvendit Komunal që u mbajt të enjten në Mitrovicë, që në fillimin e saj ka përplasur pozitën dhe opozitën rreth çështjeve të ndryshme.

Derisa këshilltarët e PDK-së kërkuan raport për keqpërdorimin e automjetit zyrtar të kryetarit të Komunës, pastaj zvarritjen e punimeve në sheshin e qytetit dhe çështje tjera, ata të Vetëvendosjes kanë insistuar që në rendin e ditës të futet për diskutim çështja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo siç e quajnë ata “Zajednicën”.

Këta të fundit kanë lëshuar seancën, pasi me shumicë votash propozimi i tyre nuk u aprovua.

Në vazhdim të seancës, përplasja ka vazhduar edhe në mes të vetë këshilltarëve të partive në koalicion AKR-LDK, rreth pikës së gjashtë të rendit të ditës, përkatësisht propozimit për miratimin e vendimit për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për ndërtimin e një çerdheje.

Mësohet jozyrtarisht se shefja e Grupit të Asamblistëve të AKR-së, Xhevrije Bahtiri, njëherësh motra e kryetarit Agim Bahtiri, se ka marrë një porosi telefonike ku do të kërkohet rishqyrtimi i koalicionit AKR-LDK.

Në këtë seancë, ai i cili u mundua të marrë seancën nën kontroll ka qenë nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, i cili tha se nuk duhet ngutur në marrjen e vendimeve, aq më tepër të përdoren emocionet për interesa të ndryshme partiake.

Sipas tij, duhet pritur një qëndrim zyrtar nga institucionet qendrore, dhe pastaj të arrihen konkluzionet.

“Nuk është mirë të diskutohet me emocione, ndoshta edhe për interesa tjera politike… Është mirë të përfitojmë në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Të presim qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës të institucioneve qendrore, një informatë zyrtare se çka me të vërtetë ka ndodhur me atë marrëveshje dhe mbi këto informata zy rtare. Normal se edhe ne jemi shumë të interesuar që si Komunë dhe si Kuvend, të nxjerrim konkluzione”, ka thënë Kamberi.

Rrustem Musa, shef i grupit parlamentar të PDK-së ka këmbëngulur që të jepen sqarime rreth keqpërdorimit të automjetit zyrtar të kryetarit Agim Bahtiri.

“Nuk mora përgjigje rreth përdorimit të automjetit zyrtar të kryetarit gjatë kohës sa nuk është ai këtu nga persona të paautorizuar, ose thjeshtë automjeti i kryetarit mund t’i mbes në bazë të ligjit për qeverisje lokale edhe nënkryetarit, kështu që një prej arsyeve pse kemi kërkuar një raport për numrin e të punësuarve, është që ta dimë se kush është i punësuar në këtë komunë e kush nuk është”, ka pyetur Musa.

Faruk Mujka nga Vetëvendosja, pas dështimit të tij në përpjekje për ta futur në rend dite çështjen e “Zajednicës”, ka lëshuar seancën bashkë me këshilltarët e Partisë së Drejtësisë dhe një të pavarur, me të cilët aktualisht është në koalicion.

Ai ka akuzuar kolegët e tij për mos kurajë dhe mos guxim për të dalë nga kornizat e partive të tyre nga niveli qendror.

“Siç e patë ata duke menduar si asamblistë të zgjedhur nga qytetarët e Mitrovicës dhe ta marrin këtë përgjegjësi, ata nuk e patën kurajën dhe guximin të dalin nga kornizat e politikës së partive të tyre në nivelin qendror. Nuk e morën parasysh as të diskutojnë për marrëveshje dhe të dalim me një deklaratë, duke ditur se kjo është një çështje shumë me rëndësi, që ka implikime shumë të rëndësishme negative në komunën e Mitrovicës. Qëndrimi ynë në pikat e ardhme na u duk i palogjikshëm dhe i paqëndrueshëm, sepse pikat tjera janë thjeshtë lojë fëmijësh në krahasim me këtë çështje”, ka thënë Mujka.

Në lidhje me hapat e tyre të mëtutjeshme në të ardhmen, Mujka ka thënë se gjithçka varet nga qendra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat