Miratohen projektligjet për Dhomat e Specializuara dhe ndihmë juridike, deputetët në pushim

Kosova

Miratohen projektligjet për Dhomat e Specializuara dhe ndihmë juridike, deputetët në pushim

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 00:04

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar edhe pas shqyrtimit të dytë Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Projektligjin për ndihmë juridike dhe financiare për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale.

Për Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e Prokurorit të Specializuar votuan 66 deputetë, 3 ishin kundër dhe një abstenoi.

Projektligjin për ndihmë juridike dhe financiare për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale e votuan 62 deputetë, 8 ishin kundër dhe dy abstenuan. Kundër këtij ligji votuan deputetët e Listës Serbe, të cilët e kundërshtuan atë edhe gjatë leximit të parë. Për të dy projektligjet gjatë shqyrtimit të dytë nuk u zhvillua debat.

Deputetët, gjithashtu pa debat, përkrahën me shumicë votash edhe emërimin e dy anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit Rregullativ për Prokurim publik. Për këto propozime votuan 66 deputetë, me një votë kundër dhe një abstenim.

Në seancën e jashtëzakonshme që filloi pas orës 23:30, si dhe në atë të parën, nuk morën pjesë deputetët nga opozita, por vetëm ata të pozitës. Opozita e bojkotoi këtë seanc ë pas votimit të ndryshimeve të amendamenteve kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Me këtë përfundoi sesioni pranveror i seancave të Kuvendit dhe deputetët morën pushimin veror, deri në fillimin e sesionit vjeshtor. /KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat