Rezoluta për EULEX-in, vetëm në letër: Asnjë ftesë zyrtare për raportim, Kuvendi nuk ka dërguar

Kosova

Rezoluta për EULEX-in, vetëm në letër: Asnjë ftesë zyrtare për raportim, Kuvendi nuk ka dërguar

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 22:26

Kuvendi i Kosovës, me anë të një rezolute të miratuar më 23 korrik - pas një debati të nxehtë dhe me kritika të ashpra ndaj misionit të EULEX-it - i kishte dhënë dhjetë ditë kohë për raportim të jashtëzakonshëm kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me aferat, ndikimin në çështjet hetimore të zyrtarëve të EULEX-it dhe marrjen e kompetencave te organet vendore të drejtësisë nga EULEX-i.
Po sipas kësaj rezolute, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ishte obliguar që t’i kërkojë komisioneres për Politikë të Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini, inicimin e hetimit institucional për çdo rast të cituar për stafin e EULEX-it.

Tribuna Channel ka kontaktuar me zyrën për informim të Presidencës, por këtë të fundit nuk i janë përgjigjur interesimit të televizionit nëse presidentja e vendit ka kërkuar një gjë të tillë nga Mogherini.

Në anë tjetër, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Mogherinit, ka thënë për Tribuna Channel përmes postës elektronike se ka një hetim penal në vazhdim të dyshimeve për korrupsion. Ajo ka thënë se Mogherini gjithashtu ka porositur një raport nga eksperti i pavarur ligjor Jean Paul Jacquet, i cili do të demaskojë të dhënat për deklarimet e kontestuara.

Aishe Qorraj-Berisha, zëdhënëse e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka konfirmuar se deri tani nuk kanë marrë ndonjë ftesë zyrtare nga Kuvendi i Kosovës për të raportuar lidhur me rezolutën e miratuar.

Edhe Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj, zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit, ka thënë se as ky institucion nuk ka pranuar ftesë nga Kuvendi për të raportuar në lidhje me rezolutën për EULEX-in.

EULEX-i merret me çështjet e krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimet e luftës që konsiderohen shumë të rëndësishme apo të ndjeshme për t’u përballuar nga gjyqësori i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat