Në Polici dhe në Ministrinë e Integrimeve Auditori gjen shumë parregullsi

Kosova

Në Polici dhe në Ministrinë e Integrimeve Auditori gjen shumë parregullsi

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 16:29

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, për vitin 2014 dhe raportin e Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare në Policinë e Kosovës.

Raporti i auditimit i vitit 2013 për Ministrinë e Integrimit Evropian ka rezultuar me nëntë rekomandime dhe deri në fund të auditimit për vitin 2014, katër prej tyre janë adresuar. Ilir Abazi udhëheqës i grupit të auditimit nga zyra e Auditorit të Përgjithshëm tha se gjysma e rekomandimeve nuk janë zbatuar dhe kjo ka ndikuar në aspektet e planifikimit dhe menaxhimit të buxhetit.

Edhe pse në raport flitet për një periudhë kur ministria e Integrimit Evropian nuk ishte nën drejtimin e ministrit Bekim Çollaku, ai u zotua se rekomandimet e mbetura do të merren parasysh dhe të implementohen në kohën e qeverisjes së tij.

Çollaku: Do punoj që të përmbushen të gjitha rekomandimet

“Raporti i Auditimit për vitin 2014 ka konstatuar 9 rekomandime të bëra për raportin e vitit 2013, ku nga to 4 janë zbatuar, një rekomandim është në proces, ndërsa 4 rekomandime të tjera do të adresohen gjatë mandatit tim. Unë pres që në vitin e ardhshëm të flasim dhe të diskutojmë bashkë për raportin e Auditimit për vitin 2015, këto rekomandime të jenë të përmbushura ashtu siç është rekomanduar në raport”, tha Çollaku.

E, sa i përket keqpërdorimit të biletave që përmendet në raport, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, tha se në disa raste, kur bëhet fjalë për ministrat dhe zyrtarët e tjerë nuk duhet të shikohet klasa me të cilin udhëtojnë pasi që pozita zyrtare ua kërkon që të kenë një trajtim më të mirë.

Por, për këtë bashkanëtari i tij në këtë Komision nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj, tha se për rastin në fjalë kur përmendet keqpërdorimi i biletave të udhëtimit, nuk bëhet fjalë për Ministrinë, por për udhëtarë të tjerë.

Muharremaj: Është mbishpenzim udhëtimi me biznes klasë

“Këtu nuk ceket domethënë që ka udhëtuar ministri përjashta, por ceket që dy udhëtarë kanë udhëtuar me biznes klasë i njëjti aeroplan që kanë mundur të udhëtojnë me klasë ekonomike ku është dallimi diku 5 mijë e 500 euro, që për mua kjo është mbishpenzim”, tha Muharremi.

Ndërsa, sa i përket raportit të Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare në Policinë e Kosovës, drejtoresha e Auditimit, Fatlinda Ramosaj, tha se në raport janë dal shumë parregullsi. Njëra ndër to e që është ndër më kryesoret, sipas saj, është mosfunksionalizimi i Flotës Operative.

Ramosaj: Flota operative është jofunksionale

“Dobësi tjetër është flota operative ku shumë pajisje janë jo funksionale , aparati i saldimit, pajisja e autolarjes, regllazha ka shumë pajisje që s’janë funksionale dhe këto shërbime policia duhet të kontaktoj jashtë dhe t’i paguaj këto. Pra, janë shpenzime të panevojshme, vlerësojmë kur ato gjenden brenda Policisë së Kosovës”, tha Ramosaj.

Kurse, zëvendëskryetar i parë i këtij komisioni, Ali Sadriu, tha se sipas raportit të auditimit, del se Policia e Kosovës është institucioni që më së shumti ka bërë freskim të flotës prej buxhetit.

Sadriu: Policia e Kosovës është institucioni që më së shumti bën freskimin e flotës

“Jeni një prej institucioneve që më së shumti keni bërë freskim të flotës prej buxhetit. Ta zëmë në vitin 2011 i keni pasur 1 mijë e 358 automobila, në vitin 2012 1 mijë e 400, pra ka një avancim këtu dhe në vitin 2013 i keni 1 mijë e 432 automjete. Ne e kuptojmë që është flotë e madhe dhe mu për atë i është dhënë prioritet ngritjes së një qendre brenda për brenda policisë që të ndodh servisimi i tyre”, tha Sadriu.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se Polica e Kosovës e shfrytëzon në maksimum flotën që gjendet brenda Policisë së Kosovës, përveç në raste specifike, kur vetura nuk mund të rregullohen aty.

Maxhuni: Të gjitha automjetet mirëmbahen në Flotën Operative të Policisë, përveç rasteve më specifike

“Tashmë dhe në periudhën e kaluar të gjitha automjetet e policisë së Kosovës janë menaxhuar në aspektin e riparimeve dhe mirëmbajtjes në Flotën Operative të Policisë së Kosovës. Në disa nga prishjet specifike që kanë ndodhur në makinat e Policisë së Kosovës është dashur që ato të kontraktohen jashtë përgjegjësisë që ka Flota Operative e Policisë së Kosovës për vetë faktin që kanë munguar ekspertizat e nevojshme nga njerëzit që punojnë në atë flotë për ta rikthyer në shërbim të nevojave të Policisë së Kosovës një automjet të caktuar. Pra po flasim për një pajisje që është Alfa-Omega e punës së Policisë së Kosovës”, tha Maxhuni.

Gjithashtu, sipas raportit vetëm për tri vite, në disa lloje të automjeteve në Policinë e Kosovës vlera e riparimeve e kalon vlerën e blerjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat