Bahtiri kërkon përshpejtimin e punimeve në palestrën "Minatori"

Kosova

Bahtiri kërkon përshpejtimin e punimeve në palestrën "Minatori"

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 16:19

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri ka takuar sot zyrtarë të BE-së, mbikëqyrës të projekteve që po realizohen në Mitrovicë, pas inspektimit që u kanë bërë këtyre projekteve.

Ai kërkoj nga ta angazhim dhe përkushtim në procesin që ka mbetur, tenderimin e punimeve të mbetura dhe afatizimin e përfundimit të tyre, duke konsideruar se gjendja e sportit dhe klubeve sportive është e mjerueshme dhe stërzgjatja eventuale mund sjell dëme të pariparueshme.

"BE duhet të përshpejtojë procesin e tenderimit dhe të përzgjedhjes së kompanisë së përgjegjshme, që kupton rëndësinë që ka përfundimi i shpejtë i projektit veçanërisht palestra “Minatori”, pasi sportistët tanë janë në gjendje të vështirë. Secila kompani duhet të ketë parasysh afatin për kryerjen e punimeve testimin dhe lëshimin në punë", tha Bahtiri.

Zyrtari i BE-së, Carlos Abaitua dhe zyrtari i kompanisë mbikëqyrëse, Luis Berger, thanë se po përpiqen të përshpejtojnë procesin e tenderimit dhe kryerjen e punimeve në palestrën "Minatori". Njëherësh nga kompanitë e pranishme në takim kërkuan seriozitet në përzgjedhjen e pajisjeve konform standardeve, montimin dhe testimin e tyre me qëllim të përfundimit sa më të shpejtë të sallës së sporteve.

Të pranishmit ishin shumë të kujdesshëm lidhur me afatet e mundshme të përfundimit të punimeve, ndërkohë që premtuan angazhim dhe përkushtim që të përfundohen procedurat dhe punimet në afatin sa më të shpejtë të mundshëm./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat