Ja çfarë thotë kryetari i Komunës së Malishevës për rastin e anëtarit të LDK-së, invalidin Fetah Rudi

Kosova

Ja çfarë thotë kryetari i Komunës së Malishevës për rastin e anëtarit të LDK-së, invalidin Fetah Rudi

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 16:16

Siç kanë shkruar mediat në Kosovë, para 15 viteve, ndaj anëtarit të LDK-së në Malishevë, Fetah Rudi, është bërë një atentat. Për këtë shkak, ai tash e 15 vite është në karrocë invalidi. Rudit i është premtuar posti i nënkryetarit në këtë Komunë, por sipas kryetarit të kësaj komune, Ragip Begaj, gjendja e tij është pengesë që ta ushtrojë këtë detyrë.

Dhe për këtë “diskriminim” ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Por, në një reagim/sqarim të tij, kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj thotë se fakti se pse ka deklaruar një gjë të tillë është në atë se “duke pasur parasysh faktin se Fetah Rudi e ka një gjendje të tillë shëndetësore, e cila në kushtet e infrastrukturës që ka Komuna ia pamundëson një gjë të tillë”.

“Pra defekti është te infrastruktura, duke filluar nga objekti i Komunës, në të gjitha shkollat dhe të gjitha institucionet tjera, të cilat nuk kanë qasje për personat siç është z.Fetah Rudi...”, ka deklaruar kryetari Begaj.

Ja reagimi/sqarimi i plotë i tij:

Sqarim për KMDLNJ dhe opinionit publik

Malishevë, 6 korrik

Unë Ragip Begaj, deklaroj publikisht, se deklarimi im, me apo pa qëllime të caktuara politike, është keqinterpretuar dhe është keqkuptuar nga persona të caktuar, të cilët e kanë shtrembëruar deklarimin tim, për z.Fetah Rudi.

Në emër të së vërtetës, ju them juve në KMDLNJ dhe të gjithë të tjerëve që po merren me shkrime të portaleve apo rrjeteve sociale, edhe njëherë ju bëj me dije, se ajo që unë kam deklaruar është kjo: FETAH RUDI, E KA NJË GJENDJE SHËNDETSORE, E CILA NË KUSHTET E INFRASTRUKTURËS QË KEMI, JA PUMUNDËSON KRYERJEN E PUNËVE. Pra defekti është te infrastruktura, duke filluar nga objekti i komunës, në të gjitha shkollat dhe të gjitha institucionet tjera, të cilat nuk kanë qasje për personat siç është z.Fetah Rudi, por kjo është çështja e dytë e krejt marrëveshjes me LDK, pasi së pari LDK nuk është duke e respektuar marrëveshjen që kemi.

Përndryshe, dua të ju kujtoj disa gjëra: e para, Komuna e Malishevës në vazhdimësi dhe unë personalisht, gjithmonë i kemi mbështetur personat me aftësi të kufizuara, dhe këtë më së miri mund të ju dëshmoj Qendra e Rehabilitimit në Malishevë (HANDIKOS), studentët me aftësi të kufizuara (në karrocë) për të cilët ndajmë bursa studimi dhe të tjerët..

E dyta, z.Fetah Rudi, nuk është nënkryetar i Komunës së Malishevës.

E treta, në marrëveshjen që kemi me LDK-në, nuk është e përcaktuar kjo.

E katërta: LDK nuk e ka respektuar marrëveshjen ( së paku jo deri më sot) dhe e fundit fare ju bëj thirrje të gjithë atyre që qëllimisht apo jo qëllimisht më kanë keqinterpretuar, ti ndalin këto shpifje në adresën time dhe e ftoj edhe degën e LDK-së që të deklarohet zyrtarisht rreth kësaj çështje, e cila, për qëllime politike, është keqinterpretuar në opinion.

Unë e konsideroj të pasinqertë grupin që merret me këto shpifje, dhe kujtoj se ai grup po i njëjti është që nuk e ka lënë Fetah Rudin as të fitoj të vota për Asamblenë Komunale dhe së fundi as në vet degën e LDK-së.

KMDLNJ-së, ja kujtoj se këtu nuk bëhet fjalë për punësim, por për një marrëveshje politike mes dy subjekteve. (sic)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat