Cilësia e legjislativit, gjithnjë në rënie

Kosova

Cilësia e legjislativit, gjithnjë në rënie

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 14:29

Është mandati i pestë i Kuvendit të Kosovës, por cilësia e përfaqësimit dhe e punës në këtë institucion, sipas njohësve të legjislativit, nuk ka shkuar në ngritje, por përkundrazi, në rënie.

Ish kryeparlamentari Nexhat Daci, flet për rënie të cilësisë së deputetëve, ndërsa ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi, thotë se tradicionalisht Kuvendi i Kosovës e ka ndjekur praktika e shtyrjes së zgjidhjes së problemeve. Ndërsa përfaqësuesit e KDI-së, thonë se për rënien e kualitetit në Kuvend, fajtorë janë sistemi politik dhe vetë partitë politike.

Nexhat Daci ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës në mandatin e parë dhe një pjesë të mandatit të dytë. Ai thotë deputetët e asaj kohe kanë qenë më cilësorë në të gjitha aspektet. Sipas tij, deputetët kanë pasur moral më të lartë, strukturë kualifikuese të shkollës së rregullt më të lartë dhe më pak interesa personale. Ish kryeparlamentari Daci flet për një rënie të nivelit në Kuvendin e Kosovës.

“Në vazhdimësi sipas kritereve, cilësia e deputetëve ka rënë. Lakorja e cilësisë, nuk e them e cilësisë së edukimit, por e cilësisë në kuptimin politik e kombëtar, ka rënë dhe është shumë poshtë”, ka thënë Daci për Radio Kosovën

Sipas Dacit, kjo ka ndodhur për shkak të ndikimit shumë të madh të komandantëve në të gjitha nivelet. Por megjithatë, Daci thotë se pavarësisht kësaj, kryeparlamentari aktual, po arrin ta menaxhojë si duhet legjislativin. Edhe ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi e vlerëson pozitivisht udhëheqjen e Kuvendit, por ai thotë se në vazhdimësi Kuvendi e anashkalon trajtimin e problemeve që kërkojnë zgjidhje emergjente.

“Ajo që po e përcjell tradicionalisht Kuvendin e Kosovës është mosmarrja me çështje të ngutshme, atëherë kur do duhej të merreshin. Edhe tani po përsëritet e njëjta gjë. Me shumë çështje që janë të ngutshme e me të cilat do duhej të merrej Kuvendi, është një praktikë e shtyrjes. Problemet nuk zgjidhen duke i shtyrë”, thotë Krasniqi për Radio Kosovën.

Për rënie të cilësisë së përfaqësimit dhe të punës në Kuvendin e Kosovës, flet edhe Driton Selmanaj nga KDI-ja, që e monitoron punën e legjislativit për disa mandate me radhë.

“Kuvendi i Kosovës dhe përbërja e tij, gjithmonë ka pësuar rënie në kuptimin e kualitetit të vetë. Kjo më tepër është problem për partitë politike për mënyrën si ata i draftojnë listat për mënyrën se si ata mendojnë se dikush mund të jetë në Kuvendin e Kosovës përmes votës së njerëzve që i kanë votuar”, thotë Selmanaj.

Selmanaj thotë se, në këtë rast janë partitë politike dhe vetë sistemi politik fajtorë për këtë rënie të nivelit në Kuvendin e Kosovës. Selmanaj thekson se bazuar përfaqësimin e saj, as legjislatura e pestë nuk garanton që mund të ketë ligje apo dokumente tjera që do të ishin vlerë për shoqërinë. Sipas tij, niveli i kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, nuk janë në proporcion me potencionalin të cilin e ofron Kuvendi i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat