Kuvendi i Kosovës ta themelojë ushtrinë para sesionit vjeshtor

Kosova

Kuvendi i Kosovës ta themelojë ushtrinë para sesionit vjeshtor

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 09:29

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që me urgjencë të procedohet ligji për ushtrinë e Kosovës dhe, njëherësh kërkoi shpjegime të drejtpërdrejta nga kryeministri Mustafa dhe ministri Demolli, se për çfarë arsyeje nuk po e procedojnë projektligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës në Kuvend.
Sipas AAK-së, Kuvendi duhet që menjëherë ta themelojë Ushtrinë e Kosovës, para sesionit vjeshtor, ndryshe preferencat e Listës Serbe, përkatësisht asosacionit politik serb, do t’i rrisin apetitet e tyre të pengimit dhe instrumentalizimit të mëtutjeshëm.

“Ekzistojnë disa gjetje themelore, përse Qeveria Mustafa-Thaçi po e neglizhon këtë sektor kyç të sigurisë dhe mbrojtjes: Qeveria po e humbë sensin strategjik për të themeluar FAK-un; Qeveria, me këtë neglizhencë të papranueshme dhe paaftësi, krijon përshtypjen se po tallet me të ardhmen e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe me sigurinë nacionale të Kosovës; Kualiteti i dobët i qeverisjes, njëherësh paaftësia e tyre për të negociuar "çështjet e panegociushme", ka bërë që zyrtarë të lart të Serbisë dhe të Kosovës të ironizojnë dhe të luajnë me fatin e FAK-ut, duke u faktorizuar si përcaktues”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu sipas AAK-së, aspekti strukturor dhe komandues dhe ai operacional i shtrirjes gjithëterritoriale, është bërë temë kohëve të fundit, për të cilën AAK thotë se janë kundër çdo lloj ndërhyrjeje që e anatemon substancën e të qenit ushtri tipike e Kosovës, moderne dhe në NATO.

“FAK-u, Ushtria e Kosovës, si çështje kaq vitale për garantimin e sovranitetit të Kosovës, ka qenë dashtë të bëhet menjëherë pas formimit artificial të Qeverisë Mustafa-Thaçi, pra që nëç muajin e parë qeverisës dhe jo të krijohet ky vakuum kohor dhe politik, duke iu krijuar hapësirë si brenda e edhe jashtë ndikimit të Serbisë dhe faktorëve të tjerë destruktive, që të shfaqin ide në dëm të së ardhmes së Ushtrisë së Kosovës; Qeveria, e cila nuk po arrin akoma procedimin dhe amandamentimin e ligjit për FAK-un, njëherit nuk arriti të realizojë detyrimet kushtetuese për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, duhet dhënë llogari për dështimet e njëpasnjëshme”, thuhet në komunikatë.

Departamenti i AAK-së për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë kërkon që FAK–u, përkatësisht Ushtria e Kosovës të konsiderohet prioritet strategjik për Kosovën dhe përpara çdo lloj nisme në Kuvend dhe që menjëherë të veprohet në themelimin e tij.

AAK–ja e vlerëson përgjithësisht me notë negative paqartësitë në krijimin e kësaj situate të paqëndrueshmërisë parlamentare dhe pamundësisë së themelimit të FAK-ut nga Qeveria Mustafa-Thaçi, duke theksuar se qeveria nuk ka treguar përgjegjësi kushtetuese dhe aftësi politike e kadrovike të menaxhimit dhe të ekspertizës për t’iu ofruar qytetarëve klimën e mirëbesimit, aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, në të gjitha nivelet e saj, për perspektivën e qëndrueshme socio-politike dhe ekonomike të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat