Gjendja e lirisë së shprehjes në Kosovë, alarmante

Kosova

Gjendja e lirisë së shprehjes në Kosovë, alarmante

Më: 29 maj 2015 Në ora: 17:14

Gjendja me të cilën përballen sot gazetarët në Kosovë nuk përbën më shqetësim, por është alarmante dhe Mitrovica është një prej vendeve ku gazetarët dhe shoqëria civile ankohen më së shumti.

Kështu ka thënë kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirija Shabani, gjatë konferencës me temën “Liria e medias dhe standardet profesionale” që u organizua nga OSBE-ja të premten në Mitrovicë.

Sipas tij, sfidat janë aq të mëdha, sa që me ngritje të zërit, nuk është më e mjaftueshme për t’u bërë me dije institucioneve se liria e shtypit është alarmante.

Ai tha se gazetarët punojnë në kushte të rënda, shumë prej tyre janë pa kontrata të punës, pastaj përballen me kërcënime etj.

Pozitën e keqe të lirisë së mediave e theksuan edhe përfaqësues të OSBE-së, të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shoqatës së Gazetarëve të Mitrovicës dhe kryeredaktorë të mediave.

Hysni Syla, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Mitrovicës, duke folur për sfidat e gazetarëve në përgjithësi, dhe të atyre mitrovicas në veçanti, tha se ver iu i qytetit të Mitrovicës vazhdon të mbetet akoma sfidë e madhe për gazetarët shqiptarë.

“Gjendja e sigurisë për gazetarët shqiptarë në veri të Mitrovicës, por edhe të vendit në përgjithësi, përkundër përmirësimit të dukshëm në raport me vitet e kaluara, vazhdon të mbetet sfidë e madhe”, ka thënë Syla.

Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, veç tjerash ka vënë theksin tek mungesa e mbrojtjes së gazetarëve.

Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, foli për keq përdorimin e lirisë së mediave, ndërsa kryeredaktorja e gazetës ‘Zëri’, Arbana Xharra, ka potencuar rastet e ndryshme ndaj kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, me ç’rast siç u shpreh ajo, Prokuroria e shtetit nuk ka bërë pothuajse asgjë.

Edhe Budimir Niçiq, nga Asociacioni i Gazetarëve serbë në Kosovë, tha se liria e mediave në Kosovë është e cenuar.

Të pranishmit u pajtu an se shumica e punës joprofesionale vjen nga portalet të cilat krijohen për qëllime të caktuara, siç është linçimi i figurave të ndryshme publike, ndërsa u dhanë edhe rekomandime për palët relevante të interesit se si të përmirësohen standardet e medias në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat