Mustafa: Ja çfarë bisedova me Vuçiq dhe Gruevskin

Kosova

Mustafa: Ja çfarë bisedova me Vuçiq dhe Gruevskin

Më: 28 maj 2015 Në ora: 17:57

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa u gjend sot në Tiranë i ftuar në Forumin Ekonomik të Vjenës. Ai është takuar me homologun e tij shqiptar Edi Rama, por edhe me homologët nga vende të tjera, përfshirë edhe kryeministrin serb dhe atë maqedonas, me të cilët ka mundur të shkëmbejë edhe disa mendime të shkurtra.

I pyetur sot në Tiranë, pas punimeve të forumit, kryeministri Mustafa tha për disa nga mediat e rajonit se është takuar me Vuçiq, Gruevskin dhe homologun e Malit të Zi me të cilët ka biseduar për ngjarjen në Kumanovë dhe për mundësitë dhe bashkëpunimin që duhet të kenë vendet e Ballkanit, për të shmangur situata të tilla.

Mustafa: Me Gruevskin biseduam për Kumanovën


"Unë pata takim me kryeministrin Rama me të cilin biseduam për bashkëpunimin, lidhur me realizimin e marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar, lidhur me sfidat e tjera që paraqiten para nesh. Unë them se kemi arritur një bashkëpunim shumë të mirë, natyrisht që ka edhe hapësira më tutje që ky bashkëpunim të përparojë. Bisedova edhe me kryeministrin e Maqedonisë, objekt diskutimi kryesisht ishin problemet dhe situata që ndodhi në Kumano vë, se si të menaxhohet të tejkalohet situata dhe të krijojmë kushtet për stabilitet të mëtejshëm, në Maqedoni, Kosovë dhe në Ballkan. Të dy palët u shprehëm se jemi të angazhuar të bashkëpunojmë dhe t’i shërbejmë këtij stabiliteti, dhe po ashtu takova edhe kryeministrin e Malit të Zi, me të cilin këmbyem mendime lidhur me bashkëpunimin e deritanishëm i cili është mendoj shumë i mirë, por edhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e turizmit, ekonomisë por edhe të ngritjes së nivelit të përfaqësimit diplomatik të Kosovës dhe të Malit të Zi", tha Mustafa.

Ndërsa me kryeministrin Vuçiq, duket se nuk ka pasur shumë diskutim përtej shtrëngimit të duarve. Mustafa tha thjesht se e pyeti Vuçiq si kishte shkuar takimi me kryeministrin Rama, dhe se Kosova e sheh si shumë të rëndësishëm takimin mes tyre.

Mustafa: Vuçiq i thashë se takimi me Ramën është i rëndësishëm dhe për Kosovën

"E pyeta se si ka kaluar takimi me kryeministrin Rama, dhe i thashë se këtë e shohim si një takim mjaft të rëndësisëhm, ai u pajtua me këtë, por nuk vazhduam më tutje", tha Mustafa.

E duke vijuar më tej në marrëdhëniet dhe dialogun me Serbinë, Mustafa shtoi se Qeveria e Kosovës ka vërejtje në raport me zbatimin e disa marrëveshjeve, të cilat i janë bërë të ditura edhe Brukselit.

Lidhur me shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, Mustafa tha se ky ndryshim është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, por se për këtë duhet të dialogohet me serbët dhe me komunitetet e tjera.

Mustafa: Shndërrimi i FSK-së në FAK i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës

"Ne megjithatë duhet të kemi pajtueshmërinë e shumicës në Kuvend, sepse me Kushtetutë duhet të vendoset me 2/3 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tek ne në mënyrë specifike kërkohet 2/3 e dyfishtë, sepse përpos numrit të arsyeshëm të deputetëve duhet të vendosen edhe 2/3 e pakicave që janë në Kuvend, dhe kjo nënkupton se duhet të dialogojmë me serbët dhe me komunitetet e tjera që të marrim dhe përkrahjen e tyre, ne do mundohemi që këtë ta bëjmë që ti bindim ata që shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës; është në interes të ndërtimit të paqes, stabilitetit dhe se ajo është forca që nuk do ti shërbejë vetëm një komuniteti por të gjithë qytetarëve," tha më tej Mustafa.

Ndërsa sa i përket punimeve të Forumit Ekonomik të Vjenës, Mustafa mendon se aktivitete të tilla janë të një rëndësie të madhe, dhe se deri tani është arritur të konkretizohen disa prej projekteve të cilat do të ndihmojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik por edhe komunikimin mes njerëzve, ndërmjet vendeve por po ashtu do ti kontribuojnë paqes dhe stabilitetit.

Mustafa: Projektet infrastrukturore lidhje ekonomike dhe njerëzore

"Ne jemi të interesuar që të vazhdojmë autostradën, nga Durrësi e cila pastaj do të vazhdoj kufirin dhe do të përcillet në territorin e Serbisë në mënyrë që ky investim i bërë deri më tani të shfrytëzohet më tepër për nevoja ekonomike. Po ashtu jemi të interesuar që të ndërtojmë autostradën deri në kufi me Maqedoninë dhe pastaj pjesa maqedonase të vazhdojë deri në Shkup e cila pastaj do të jetë një lidhje shumë e mirë dhe ekonomike por dhe e qytetarëve. Jemi të interesuar dhe po punojmë që të bëjmë dhe projektin e hekurudhës në tërë gjatësinë e saj në terri torin e Republikës së Kosovës, e cila na lidh me Maqedoninë dhe me Serbinë dhe pastaj na lidh edhe me vendet e tjera të BE-së, dhe po ashtu që më tutje të punojmë në trasmisionin e sistemit energjetik, sidomos me Shqipërinë. Sigurisht që më tutje duhet të merremi vesh edhe me bashkëpunimin tonë në fushën e politikave fiskale në mënyrë që ato ti adaptojmë sa më afër dhe në mënyrë që ato të mos paraqesin pengesa dhe diferenca më të mëdha në bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik ndërmjet vendeve tona", tha Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat