Punëtorëve të Fabrikës së Tubave po u humbet durimi

Kosova

Punëtorëve të Fabrikës së Tubave po u humbet durimi

Më: 28 maj 2015 Në ora: 15:30

Irituese, sipas punëtorëve ka qenë edhe deklarata tjetër e kryeministrit të bërë po në atë seancë se nëse paguhen punëtorët e kësaj fabrike atëherë një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe punëtorët tjerë

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave përmes një proteste kanë shprehur në Ferizaj pakënaqësinë e tyre lidhur me një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, të bërë në një seancë të Kuvendit të Kosovës për gjoja pamundësinë e ekzekutivit që ta bëjë shlyerjen e borxhit që AKP-ja u ka këtyre punëtorëve në një shumë prej afro 30 milion eurove.

Irituese, sipas punëtorëve ka qenë edhe deklarata tjetër e kryeministrit të bërë po në atë seancë se nëse paguhen punëtorët e kësaj fabrike atëherë një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe punëtorët tjerë dhe se në një situatë të tillë duhet "shitur" Kosovën për t'i larë borxhet e punëtorëve.

Ali Shabani, nga Sindikata e kësaj fabrike ka thënë se kjo protestë ka qenë e paralajmëruar qysh më parë, por që kanë shpresuar në një takim me kryeministrin këtë javë e që nuk është zhvilluar edhe përkundër premtimeve që u kishte bërë deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Blerim Grainca.

"Ka qenë një deklaratë shumë e papërgjegjshme që na ka dëmtuar rëndë. Ai duhet ta dijë se vendimet janë të detyrueshme. Gjykata Kushtetuese e Kosovës i rrëzoi dy presidentë, të tretës i vazhdoi mandatin, edhe për kryeparlamantarin mori vendim dhe u zbatua në tërësi ndër sa për ne po hezitojnë. Deklarata e kryeministrit të Kosovës është ikje nga realiteti ngase ai e din mirë dhe ka premtuar se me ardhjen në pushtet çështja e kompensimit të punëtorëve të fabrikës së tubave do të rregullohet. Ai edhe sot e di këtë çështje se borxhi nuk është 2.7 milionë siç ka deklaruar, por pse po e thotë këtë nuk po e dimë", ka thënë Shabani.

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave po mendojnë që t'i radikalizojnë veprimet e tyre deri në realizimin e kësaj kërkese. Ali Shabani, thotë se nuk i kanë "bombat" e Zaevit, por disa më të mëdha e që janë vendimet e organeve më të larta të shtetit.

"I kemi vendimet e gjyqësorit, legjislativit, të ekzekutivit dhe të dhomës së veçantë e cila ekskluzivisht ka mandatin për t'i zgjedhë problemet me AKP-në. Kryeministri çështjen tonë e ka bërë private dhe personale, nëse këtë e konsideron si të tillë edhe unë kam diçka mi thanë personale pà «r një çështje nga data 26 dhe 27 mars e vitit 1989. Kam dashtë me marr në varr, por deklarata e tij e 21 majit më ka dëshpëruar shumë. Nëse nuk na takon dhe nëse nuk do të tërhiqet do t'ia them ashtu siç ka thënë ai atëbotë dhe siç ka vepruar" ka potencuar Shabani.

Punëtorët kanë adresuar kërkesa të ndryshme, disa janë shprehur për protesta të dhunshme, disa kanë kërkuar që partitë politike të mos përzihen në çështjen e tyre, ndërsa i zëshëm ka qenë edhe kreu i sindikatës së kësaj fabrike Ali Azemi, i cili ka thënë se edhe kryetari i komunës së Ferizajt nuk ka reflektuar mjaftueshëm rreth çështjes së tyre dhe se e mban një pjesë të përgjegjësisë se pse kjo çështje nuk është debatuar edhe në Kuvendin e Ferizajt.

"Nuk ka çështje më humane se m’i përkrahë kërkesat e drejta të punëtorëve. Nuk është nënçmim i kryetarit të komunës me na pri në protesta, bëhet fjala për qytetarët e tij dhe të drejtat e tyre që janë përligjur me vendimet e gjykatës dhe organeve tjera", ka thënë Azemi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat