​Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave mbushën një vit në grevë

Kosova

​Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave mbushën një vit në grevë

Më: 26 maj 2015 Në ora: 19:49

Janë mbushur sot plot 365 ditë që kur ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave kanë hyrë në grevë. Por, ata nuk e kanë ndërmend të ndalen edhe sikur të vazhdojë me vite të tëra, derisa kërkesat e tyre të realizohen.

Brenda këtij viti ata kanë kaluar shumë vështirësi, duke filluar nga moti shumë i nxehtë, pastaj moti i acartë i cili ka mbizotëruar në këtë dimër, mungesa e ushqimit të mjaftueshëm herë pas here, mungesa e energjisë elektrike, ujit, sëmundjet të cilat u kanë ardhur nga qëndrimi aty, mungesa e barërave e shumë probleme e telashe të tjera.

Më 27 maj të vitit të kaluar, ish-punëtorët e Fabrikës së tubave patën hyrë në grevë për shkak të mos ekzekutimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për kompensimin financiar në vlerë mbi 25 milionë euro.

Edhe pse ish-kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci, në atë kohë u pat premtuar që kërkesat e tyre do të realizohen, ato vazhdojnë të mbesin ende të papërmbushura. E gjithë kjo po ndodh për shkak se AGP-ja, e cila duhet të bëjë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë, ende nuk e ka të kompletuar bordin.

Tani, punëtorët e kësaj Fabrike që një kohë të gjatë janë duke kërkuar krijimin e bordit të AGP-së në mënyrë që procesi i kërkesave të tyre të realizohet më shpejt.

Edhe pse u bë një kohë shumë e gjatë, ata po vazhdojnë t’i mbrojnë të drejtat e tyre, të cilat ua garanton vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Kuvendit të Republikës Kosovës, ai i Qeverisë së vitit 2014, e madje edhe Gjykata e Strasburgut.

Ahmet Sylejmani i cili është anëtar i Këshillit grevist tregon se si ata e kanë kaluar këtë vit, duke shpjeguar se gjatë gjithë kësaj kohe ata janë duke u munduar të lidhin kontakte me dikë të Qeverisë, por që për ta është e paarritshme.

Sylejmani: Kemi pasur shumë sfida gjatë këtij viti

“Ne, siç e dini, prej 27 majit 2014 jemi në grevë, deri më sot i kemi bërë motmot, nesër me 27 i bëjmë 366 ditë, sot i kemi bërë 365 ditë. Gjatë kësaj periudhe kohore kemi pasur sfida shumë të mëdha, nga temperaturat e nxehta e të ftohta, acar edhe çdo gjë të rëndë dhe të keqe. Gjatë kësaj periudhe kohore në fillim kemi qenë 45 grevistë, mirëpo me kalimin e kohës vinte kur u vështirësua gjendja e tyre shëndetësore dhe disa nga ta edhe e kanë lëshuar grevën. Mirëpo ne këtu jemi 8 veta të cilët jemi duke rezistuar për t’i realizuar të drejtat tona. Deri sot ne me Qeverinë e re jemi duke u munduar të bëjmë kontakte mirëpo deri sot nuk na ka kontaktuar askush. Ka premtime se do të na kontaktojnë, mirëpo nuk na ka kontaktuar askush, për ta realizuar të drejtën tonë”, tha Sylejmani.

Ai thotë se ata do të vazhdojnë edhe më tej të kërkojnë të drejtat e tyre në këtë mënyrë, përmes grevës, por në momentin që nuk bëhet një gjë e tillë, ai ka paralajmà «ruar se do të shumëfishohet numri i grevistëve.

Sylejmani: Nëse nuk realizohen kërkesat numri i grevistëve do të shumëfishohet

“Do të presim që ta kemi një kontakt dhe ta kryejmë punën kështu siç jemi, në momentin që nuk kryhet kjo puna atëherë do të kemi 912 veta dhe sigurisht ata e kanë nga një bashkëshort dhe bashkëshorte dhe vijnë këtu për ta realizuar atë të drejtë ligjore, ndryshe nuk vjen. Kjo duhet të rregullohet, se motmot me qëndruar këtu... Unë nuk di, a jemi ne qytetarë të Republikës së Kosovës a nuk jemi. Në këtë rast po themi që nuk jemi, për arsye se nuk po kryhet. E nëse nuk kryhet atëherë do të radikalizohen gjërat pa dëshirën tonë”, tha Sylejmani.

Danush Rashiti, një tjetër grevist, thotë se po qe nevoja grevat do të vazhdojnë edhe për vite të tjera, por ata nuk do të lëshojnë pe.

Rashiti: Nuk do e ndalim grevën deri në realizimin e kërkesave

“Deri në realizimin e këtyre kërkesave ne nuk do ta lëshojmë prapë, le të bëhen një vit a dy ndoshta me zor na qesin por me hatër jo, të vdektë na qesin por gjallë prej këtu jo. Ishalla do zoti e ndërrojnë këta menin pak e gëzohet kjo rini se ne shkuam. Ishalla këta tjerët i realizojnë kërkesat. Se ne të gjitha i kemi, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, me gjykatë të apelit, me gjykatë qendrore, të Strasburgut... dhe prapë kërkesa nuk realizohet”, tha Rashiti.

Greva e ish-punëtorëve të fabrikës së tubave llogaritet si greva më e gjatë që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. E, në botë greva më e gjatë llogaritet të jetë ajo e shkollës së Brustonit në Britaninë e Madhe, e cila ka zgjatur plot 25 vite, duke filluar në vitin 1914 për të përfunduar në vitin 1939./J.Gjinovci/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat