​Gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me barriera të shumta

Kosova

​Gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me barriera të shumta

Më: 26 maj 2015 Në ora: 12:55

Vetëm 11 për qind e femrave në Kosovë kanë të regjistruara biznese në emër të tyre ndërsa vetëm 8 për qind e tyre posedojnë prona personale. Kështu u tha sot në një event të organizuar nga Banka TEB, Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, Shoqata Afariste e Gruas “Sheera” dhe “Women for Women International”.

Me këtë rast e pranishme ishte Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, e cila përgëzoi gratë që pavarësisht rrethanave sfiduese në shoqërinë tonë dhe në një tranzicion të papërfunduar, ato po arrijnë të mbajnë gjallë biznese dhe vende të punës.

Barazia mes burrave dhe grave arrihet vetëm përmes fuqizimit ekonomik të grave.

“Progresi në fuqizimin e gruas nuk ka ecur me ritmin e duhur edhe pse të gjithë e dimë këto evidence as në Ballkan dhe as në rajonin tonë. Gratë vazhdojnë të përballen edhe sot e kësaj dite me barriera të ndryshme. Disa prej tyre madje ende përballen me mundësinë e kufizuar në arsim. Të tjera nuk e kanë përkrahjen e duhur institucionale. Ne të gjithë e dimë se nga fuqizimi i gruas nuk përfiton vetëm ajo personalisht, por përfiton e gjithë shoqëria, për arsye se gratë investojnë në fëmijë, në shëndetin e tyre, investojnë në edukimin e tyre duke kontribuar kështu në një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, tha Bajrami.

Ajo më pas shtoi se pasojë për këtë është trashëgimia kulturore dhe shoqëria patriarkale.

“Si pasojë e trashëgimisë kulturore, e një shoqërie kryesisht patriarkale, gratë edhe vajzat në Kosovë nuk I gëzojnë të drejtat e barabarta. Ne të gjithë e dimë se është përqindje tepër e vogël e kompanive të cilat sot janë të regjistruara në emër të femrave, diku rreth 11 për qind e tyre, ndërsa patundshmëritë do me thënë janë vetëm 8 për qind e të gjitha pronave”, tha Bajrami.

Ndërkaq Lendita Kastrati, nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës “G7”, tha se kjo dhomë po punon intensivisht në lobim për përfaqësimin e grave në ekonomi.

“Dhoma ekonomike e grave të Kosovës si Institucion i pavarur jofitimprurës në shërbim të fuqizimit të gruas në ekonominë e Kosovës… gjatë këtyre dy viteve në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira ka punuar intensivisht rreth lobimit të përfaqësimit sa më të madh të grave në ekonomi”, tha Kastrati.

Nga “Women for Women International”, Iliriana Gashi, tha se që nga viti 99 nëpër këtë organizatë kanë kaluar mbi 32 mijë gra. Ndërsa për 3 vite janë punësuar 450 gra.

“Organizata Women for Women international punon në fuqizimin ekonomik dhe social të grave të margjinalizuara. Qëllimi i punës së organizatës është krijimi I qytetareve aktive të vetëdijshme për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Për arritjen e këtij qëllimi organizata ka një program një vjeçar në dy drejtime, pjesa sociale që në një kurrikulë gjithëpërfshirëse për mundësit e përfitimit, shëndet, ambient, vendimmarrje dhe krijim të mjeteve kalon nëpër program një vjeçar secila gru dhe në anën tjetër e njëjta gru kalon nëpër aftësimin profesional bazuar në nevojat e tregut të Kosovës, duke filluar me një trajnim të biznesit një mujorë e pastaj në përmirësimin e aftësive teknike në hortikulturë, bletari, prodhim qumështi, punë dore, ose veprimtari shërbyese. Prej vitit 99 nëpër organizatën tonë kanë kaluar mbi 32 mijë gra. Pas përfundimit të këtij programi ne vazhdojmë t’i përkrahim në asistencë teknike aty ku ato kanë nevojë dhe për këtë kemi projekte mbështetëse. Rezultatet e punës tonë janë mbi 450 gra të punësuara gjatë gati 3 vitesh të ekzistimit të zyrës tonë për përkrahje për punësim”, tha Gashi.

Nga banka TEB, e cila është përkrahëse e këtij eventi, i pranishëm ishte drejtori ekzekutiv, Ayhan Albeyoglu, i cili tha se kanë sjell nga Stambolli njerëz adekuat për trajnime me 28 vite përvojë.

“Së pari më është dashtë mbështetje nga organizata ndërkombëtare siç është EBRD, Banka Evropiane për Zhvillim. Ne na duhej edhe financa për të trajnuar se si do të fillojmë me ‘Star Double” pastaj kishim gjetur Greqinë, Kosovën, të sjellim nga Stambolli që kanë mbi 28 vite përvojë me ‘Star Double” dhe me SMD”, tha Albeyoglu.

Me këtë rast Ministrja Bajrami u dhuroi certifikatat të gjitha grave që kishin kryer këto trajnime të organizuara nga banka TEB, Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, Shoqata Afariste e Gruas “Sheera” dhe “Women for Women International”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat