Kuçi shpreh vullnetin e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në KE

Kosova

Kuçi shpreh vullnetin e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në KE

Më: 5 maj 2015 Në ora: 18:11

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, priti sot në një takim Drejtoreshën e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz-Gallucci, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës me Këshillin e Evropës dhe Zyrën e KE-së në Prishtinë.

Ministri Kuçi, gjatë këtij takimi, ka theksuar se bashkëpunimi, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, është thelluar dukshëm.

Ai ka falënderuar Drejtoreshën e Zyrës së KE-së në Prishtinë, për dizajnimin dhe implementimin e projekteve të përbashkëta që ndërlidhen ngushtë me prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Në veçanti, Ministri Kuçi ka përgëzuar përmbylljen e projektit PECK, që ka qenë njëri prej projekteve më ambicioze për adresimin e korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe përmes projekteve të reja. Gjithashtu, gjatë takimit, është diskutuar edhe për mundësitë e shumta për asistencë dhe bashkëpunim që ofron Komisioni i Venecias, mekanizëm i Këshillit të Evropës në të cilin Republika e Kosovës është anëtare e plotë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat