Inspektorati paralajmëron punëdhënësit, do të gjobiteni

Kosova

Inspektorati paralajmëron punëdhënësit, do të gjobiteni

Më: 28 prill 2015 Në ora: 14:24

Nga sot e tutje të gjithë punëdhënësit duhet të kenë kujdes të mos i lënë punëtorët pa kontrata pune. Kjo për shkak se inspektorati i punës do të fillojë inspektimin në të gjitha bizneset dhe do të shqiptojë gjoba për të gjithë ata punëdhënës që nuk i kanë kontraktuar punëtorët e tyre.

Kështu u tha në përmbylljen e fushatës një mujore për vetëdijesimin e punëdhënësve për respektimin e ligjit të punës dhe respektimin e ligjit për siguri në punë.

Kjo fushatë sipas kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës ka qenë e nevojshme për shkak se vetëm gjatë vitit 2014 janë gjetur 2700 punëtor pa kontrata pune, ndërsa në vitet paraprake ka pasur edhe më shumë.

Basri Ibrahimi, paralajmëroi se me përmbylljen e kësaj fushate, më nuk do të ketë falje për asnjë punëdhënës dhe se do të ketë ndëshkime të menjëhershme me gjoba, pasi që deri më tash për këtë çështje punëdhënësve i është dhënë kohë e mjaftueshme për ndryshim.

“I kemi dhënë punëdhënësve hapësirat e duhura që ai t’i eliminoj të metat të cilat ne i kemi konstatuar nga inspektimet, por në këtë vit kjo nuk do të ndodh, më së paku për çështjen e punëtorëve pa kontrata pune, sepse në vitin 2014 ne kemi gjetur 2700 punëtor pa kontrata pune në vitet paraprake edhe më shumë sesa në vitin 2014. Por, sido që të jetë kjo është çështje e patolerueshme nga ana jonë dhe ne konsiderojmë që kjo nuk do të tolerohet, nuk është e mirë që të ndodh dhe nuk mund të japim këtë hapësirë. Dhe ne në momentin e parë që do të inspektojmë dhe konstatojmë punëtorë pa kontrata pune, atëherë ne do të shqiptojmë automatikisht gjobë”, tha Ibrahimi.

Ndërsa për sa u përket çështjeve tjera, Ibrahimi bëri të ditur se ata do t’u japin ende kohë punëdhënësve për përmirësim për shkak të gjendjes financiare në të cilin gjinden ata.

“Në qoftëse inspektorët hasin në kompani punëtor pa kontratë pune, atëherë do të iu shqiptohet gjoba automatikisht. Ndërsa, për çështjeve tjera është edhe obligim ligjor, mirëpo megjithatë ne mendojmë që punëdhënësi ende ka nevojë për kohën, sepse është biznes i ri, jo gjatë kanë përvoja në biznes, mirëpo edhe për shkak të gjendjes ekonomike-financiare të cilin e kanë punëdhënësit. Ne megjithatë si institucion ligjore duhet ta kemi parasysh edhe këtë çështje, jo vetëm çështjen e respektimit të drejtave të punëtorëve, por edhe në një mënyrë që ta ndihmojmë ekonominë që ajo të forcohet, t’i respektoj ligjet dhe të zhvilloj biznesin”, tha Ibrahimi.

Pas një ose dy muajve, inspektorati mendon të bëjë edhe një përmbyllje apo rrumbullakim të inspektimeve, në mënyrë që të shohin rezultatet e fushatës. Për këtë ata kanë paralajmëruar që edhe mediet do të jenë të informuar për çdo veprim të tyre që do të marrin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat