Hyseni në Bruksel: E padrejtë që Kosova të mbetet e izoluar

Kosova

Hyseni në Bruksel: E padrejtë që Kosova të mbetet e izoluar

Më: 20 prill 2015 Në ora: 17:55

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka filluar një vizitë dyditore në Bruksel, ku do të zhvillojë takime të shumta në Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian.

Hyseni është pritur sot nga drejtori i Press Klubit të Brukselit (Press Club Brussels-Europe), Viktor Sidabras, ndërsa pastaj u është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve dhe diplomatëve të shumtë në këtë prezantim.

Në prezantimin e tij dhe reagimin ndaj pyetjeve të pranishmëve, Hyseni foli për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, duke u ndalur në veçanti tek luftimi i krimit dhe korrupsionit, luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e rendit dhe sigurisë.

Temë e veçantë në këtë takim me gazetarë dhe diplomat ishte liberalizimi i vizave dhe migrimi i parregullt i qytetarëve të Kosovës. Ministri Hyseni nënvizoi se është e padrejtë që Kosova të vazhdojë të mbetet e izoluar nga e drejta e lëvizjes pa viza në zonën Schengen.

Një takim tjetër të gjatë e shumë miqësor dhe përmbajtjesor, Hyseni e pati në Parlamentin Evropian, ku u prit nga eurodeputeti kroat Tonino Picula, raportues i PE-së për Bosnjën dhe Kosovën.

Ministri falënderoi deputetin Picula dhe Parlamentin Evropian për përkrahjen e fuqishme që i jepet pavarësisë së Kosovës, si dhe integrimit të saj në BE.

Mirënjohje e veçantë iu shpreh në këtë rast Parlamentit Evropian për përkrahjen që ky institucion i jep Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat