​Nxjerr një produkt nga shporta juaj, dhuroje për bamirësi

Kosova

​Nxjerr një produkt nga shporta juaj, dhuroje për bamirësi

Më: 29 mars 2015 Në ora: 15:37

Nxjerr nga shporta një nga gjësendet që ke blerë për shtëpi, e dhuroje për familjet skamnore. Kështu porositë shoqata humanitare “Nënë Tereza” e cila ka dalë me aksionin “Blej dhe dhuro” që do të zgjasë një muaj.

Që nga data 27 mars e deri më 27 prill në të gjitha qendrat e kompanisë “Viva Fresh Store” konsumatorët do të mund të kontribuojnë me gjësende të ndryshme, të cilat pastaj do të iu dhurohen familjeve në nevojë, që janë në regjistrin e shoqatës “Nënë Tereza”, në të gjithë Kosovën.

Ky aksion po bëhet për të dytën herë radhazi, e që ka për synim të vazhdojë edhe dy herë tjera brenda këtij viti. Sipas shoqatës “Nënë Tereza” ka dy ditë që njerëzit bamirës veç kanë filluar të japin diçka nga shporta e tyre, veçse është ende herët të flitet për ndonjë shifër.

Drejtori i kësaj shoqate, Zef Shala, thotë se qëllimi i këtij aktiviteti është që qytetari të kontribuon drejtpërdrejtë tek familjet në nevojë.

“Ky është vazhdim i aksionit që ka qenë edhe vitin e kaluar, e njëjta gjë. Por, sivjet kemi shkuar pak më gjerësisht sepse menaxhmenti i kësaj kompanie e ka parë të arsyeshme që iniciativën tonë ta zgjerojë edhe më gjatë. Pikërisht kemi filluar prej ditës së djeshme, dhe do të zgjasë deri më 27 të këtij muaji. Pastaj, prap do të rifillojë gjatë kohës së Bajramit, ramazanit, dhe së fundit në muajin dhjetor, kur është muaji i solidaritetit,atëherë do të ketë aksion të ngjashëm”, thotë ai.

Ai tregon se këtë vit aksionin do ta ndajnë në tre faza, pra këtë muaj, muajin e Ramazanit dhe në fund në muajin dhjetor, që e shënojnë si muaj të bamirësisë.

Duke iu referuar vitit që shkoi, i cili që i suksesshëm në këtë aksion, drejtori Shala shpreson që edhe këtë vit të mbledhin sa më shumë produkte, në mënyrë që të iu dhurohen sa më shumë familjeve.

“Shpresoj që do të mbyllet mirë. Se informatat janë të mira nga terreni, sidomos në pika të mëdha kur frekuenca e popullatës është më e madhe. Janë veç informatat sek anë filluar të grumbullohen gjëra të tilla dhe pasi është fillimi, të shohim nga dita e 10-15, atëherë mund të shihen edhe efektet e para, meqenëse ky do të zgjasë një muaj ditë, prandaj nga fundi do të shohim”, thotë ai.

Vitin e kaluar, gjatë muajit të ramazanit, janë mbledhë rreth 500 pako, ku përfitues ishin rreth 500 familje.

Kështu, çdo konsumatorë, në “Viva Fresh Store”, përderisa kryen blerjen për nevojat e tij, do të mund të ndajë një artikull dhe të vendosë atë tek Këndi i Bamirësisë së shoqatës “Nënë Tereza”.

E me të mbledhur një pjesë e madhe e produkteve, menaxherët e kompanisë kontaktojnë ata të shoqatave për ta bërë shpërndarjen e tyre. Do të thotë, nuk do të pritet fundi i muajit prill për të shpërndarë ndihmën tek familjet, ato do të dhurohen gjatë tërë muajit, herë pas here.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat