Sakrifica Jasharajve, udhërrëfyes për të ecur përpara

Kosova

Sakrifica Jasharajve, udhërrëfyes për të ecur përpara

Më: 6 mars 2015 Në ora: 16:45

Lider institucionesh, të partive politike, veteranë të luftës së UÇK-së, e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe në Prekaz në 17 vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari.

U vlerësua se sakrifica e familjes Jashari është e pakrahasueshme dhe rrallë kush mund ta përsërit. Derisa, për politikanët dhe popullin, kjo ditë duhet të jetë përkujtim se rruga e tyre ende nuk ka përfunduar.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se vepra dhe sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, është shembulli me i fortë i heroizmit dhe përkushtimit për lirinë e vendit.

Kreu i Qeverisë shtoi se sot i bëjnë nderime dhe kujtojnë me admirim, por edhe tregojnë përkushtimin e tyre që të punojnë dhe ta ndërtojnë vendin sipas idesë se atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës.

“17 vjet më parë komandanti i UÇK, Adem Jashari dhe familja e tij ranë heroikisht në mbrojtje të idesë për liri dhe pavarësisë. Ai është shembulli më i fort i heroizmit, sakrificës dhe përkushtimit për vendin, për lirinë e vendit për atdhedashurinë dhe për të ardhmen e këtij vendi. Ne sot i bëjmë nderime dhe kujtojmë me admirim dhe po ashtu tregojmë përkushtimin tonë që të punojmë që ta ndërtojmë këtë vend sipas idesë së atyre që u flijuan për lirinë,u flijuan për Kosovën”, ka thënë ai.

Por, i pari i Qeverisë nuk u përgjigj kur u pyet për mos intonimin e himnit kombëtar në nisjen e manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, që u mbajt në kazermën Adem Jashari në Prishtinë.

Homazhe në Prekaz ka bërë edhe Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili vlerësoi se kjo ditë duhet të jetë nxitje për ta, që të jenë me të përgjegjshëm në rrugën e konsolidimit dhe zhvillimit ekonomik.

“Po u kujtojmë sot gjithë ata që kanë ra që bashkërisht ta kemi lirinë tonë. Përulemi para varrit të tyre me dinjitet dhe respekt dhe në të njëjtën kohë le të jetë një nxitje për ne që të jemi me të përgjegjshëm dhe me të vendosur në rrugën drejt prosperimit dhe konsolidimit në zhvillimin ekonomik dhe integrime nacionale dhe ndërkombëtare”, tha Veseli.

Ndërsa, Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj tha se duke nderuar veprën dhe sakrificën e familjes Jashari dhe komandantit Adem Jashari, nderojnë të gjithë dëshmorët e vendit.

“Ne vijmë përkujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e Komandantit legjendar Adem Jashari, nderojmë dhe respektojmë familjen Jashari. Por duke ardhur për të respektuar dhe nderuar komandantin legjendar këtu në Prekaz ne nderojmë gjithë dëshmorët e kombit të cilët kanë dhënë jetën për lirinë e vendit”, tha Limaj.

Kryetari i Familjeve të Dëshmorëve Xhavit Jashari tha se secili shqiptar që viziton Prekazin dhe nderon komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, merr energji për të vazhduar rrugën ku kanë synuar dëshmorët.

“Çdo shqiptar që të vije këtu merr energji të reja për të vazhduar rrugën ku kanë synuar dëshmorët, në këtë rast komandanti legjendar dhe gjithë Jasharajt që e kanë bërë një rezistencë të përbashkët, që kanë një rënie, synimi i tyre ka qenë që shqiptarët një ditë të jetojnë në të drejtën e tyre historike si një popull dhe komb i bashkuar. Dhe ku nderojmë këtu sot në këtë ditë të rënët për lirinë e atdheut nderojmë gjithë periudhat historike, nderojmë gjitha ata që kanë kontribuuar dhe luftuar në periudha të caktuara të historisë për të ardhur deri të liria”, tha Jashari.

Homazhe në kompleksin memorial në Prekaz, ka bërë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se vepra dhe sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, është e pakrahasueshme dhe rrallë e përsëritshme.

“Definitivisht, sigurisht se kjo është një prej atyre ngjarjeve që është e pakrahasueshme dhe e cila ndryshoi historinë. Prandaj po e them që sot është si gjithmonë një ditë historike. Megjithatë, sot me shumë se kurrë është një përkujtim për të gjithë neve dhe gjithë popullin e Kosovës dhe neve që jemi në politikë që qëllimi familjes Jashari, idealet e tyre nuk janë të përfunduara, kemi ende punë për të bërë. Natyrisht që sakrificën që e kanë bërë ata rrallë kush mund ta përsërit”, tha Ahmeti.

Derisa, kryeministri Mustafa nuk e komentoj mos intonimin e himnit kombëtar, kreu i Prishtinës, e ka quajtur turp një veprim i tillë.

“Unë e kam thënë dje që në ditën kur e përkujton “Epopenë e UÇK-së” dhe përkujton sakrificën e Adem Jasharit dhe sakrificën e familjes së tij është e turpshme të tjetërsohet ideali që e kanë pasur ata. Sepse ata kanë luftuar për një flamur, për një ideal, për një himn”, theksoi Ahmeti.

Ndërsa, Kryetari i Familjeve të Dëshmorëve Xhavit Jashari tha se duhet pyetur kryeministrin se pse nuk u intonua himni kombëtar pasi të gjitha këto aktivitete janë të organizuara nën patronatin e kryeministrit. Por, tha se ata që i frikohen simboleve kombëtare nuk meritojnë të jenë në poste udhëheqëse të shtetit të Kosovës.

“Asnjë manifestim për kujtimin të Epopeve, të luftës së lavdishme të UÇK-së nuk do duhej që të kremtohet apo shënohet pa himnin dhe flamurin kombëtar kur kihet parasysh se të gjitha ata që kanë rënë në periudha të ndryshme të historisë sidomos në luftën e lavdishme të UÇK-së, janë betuar në himnin kombëtar dhe flamurit kombëtar. Andaj ata që frikohen nga simbolet kombëtare nuk meritojnë të jenë në vendet udhëheqëse të vendit”, tha Jashari.

Manifestimet për nderë të “Epopesë së UÇK-së”, do të përmbyllen nesër me 7 mars, me natën e zjarreve që do të mbahet në Prekaz të Skenderajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat