Ferati bast me Dedën: Nëse AKS do të ketë kompetenca ekzekutive do të tërhiqem nga politika

Kosova

Ferati bast me Dedën: Nëse AKS do të ketë kompetenca ekzekutive do të tërhiqem nga politika

Më: 4 mars 2015 Në ora: 20:12

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Sadri Ferati ka vënë kusht se nëse Asociacioni i Komunave Serbe do të ketë kompetenca ekzekutive do të dorëhiqet dhe tërhiqet nga politika.
Duke debatuar në studion e Info Magazinës në Klan Kosova, Ferati ka ofruar përgjegjësi publike dhe dorëheqje morale nëse Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive.
“Unë jap përgjegjësi, mbaje mend shëno, në rast se asociacioni i komunave do të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative, askush prej nesh nuk duhet të mbes më në politikë”, bëri me dije deputeti i LDK-së.
Por Ferati ka kërkuar përgjegjësi edhe nga ata që po bëjnë zhurmë se Asociacioni do të jetë një entitet i ri, apo një Republikë Serbe, kur iu ka referuar deputetit të Vetëvendosjes Ilir Deda me të cilin ka debatuar në Info Magazine.
"Ma shtrij dorën edhe ti se do ta votosh ligjin nëse them kështu sic po them unë. Merr përgjegjësi sikur unë nëse nuk del ashtu sic po thoni ju", tha Ferati.
Por dorën deputetit të LDK-së nuk ia ka shtrirë Deda.
Ai ka insistuar se asocacioni do të ketë kompetenca ekzekutive, të cilat sipas tij do të dëmtojnë themelet e shtetësisë së Kosovës
“Marrëveshja është e dëmshme. Jo nuk do ta votoj", bëri me dije deputeti i Vetëvendosjes.
Deda më herët vuri në dukje dëmin që po i bëhet shtetësisë në vazhdimësi me marrëveshjet e Brukselit, të cilat flasin për rregullimin e brendshëm të shtetit.
“Me ligje të Kosovës nuk lejohet një organizim i tillë. Nëse i njihen katër kompetenca ekzekutive këtij asociacioni, atëherë kjo del kundër ligjeve të Republikës së Kosovës”, përfundoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat