Pacolli: Nuk besoj se do të kandidoj për kryetar të AKR-së

Kosova

Pacolli: Nuk besoj se do të kandidoj për kryetar të AKR-së

Më: 3 mars 2015 Në ora: 22:17

Themeluesi i AKR-së Behgjet Pacolli ka thënë se do të tërhiqet nga udhëheqja me këtë parti. Ai nuk e përjashton mundësinë që në vend të tij të ulet një femër. Ndërkohë ka kritikuar Hashim Thaçin duke theksuar se ai nuk i merr seriozisht bisedat për ekonominë për shkak të njohurive të tij të pakta nga kjo fushë.

Behgjet Pacolli ka vendosur që të heq dorë nga timoni i Aleancës Kosova e Re, me të cilën shijoi Qeverinë mandatin e kaluar dhe për pesë javë luajti rolin e Presidentit të Kosovës.

“Unë nuk besoj se do të kandidoj për arsye se duhet të hapet perspektiva për njerëzit e rinj, njerëzit me energji, njerëzit që kanë vullnet dhe dituri që të punojnë”, tha Pacolli për Klan Kosova.

Vendin e tij ka mundësi ta zë një femër. Një mundësi të tillë e pranoi edhe Pacolli, i cili tha se në AKR përveç kreut do të ketë edhe shumë figura të tjera.

“Ka njerëz që vijnë nga Perëndimi, kur e them nga Perëndimi për arsye se ne jemi duke vuajtur në Kosovë për shkak të vetëdijës së ulët “, tha Pacolli.

Pacolli beson se ata që do të vijnë do të jenë ndryshe nga qeveritarët e tjerë të Kosovës. Thotë se e kanë aftësinë për të zhvilluar vendin, gjë që sipas tij nuk e ka Isa Mustafa e as Hashim Thaçi.

“E fajësoj shumë z.Thaçi që asnjëhere në mënyrë serioze nuk është ulë dhe me folë për zhvillimin ekonomik. Nuk ka pas absolutisht vullnet të flet për ekonomi për arsye se ai nuk e ka ditë qysh bohen ato sene”, tha Pacolli.

Pacolli tha se edhe plani qeverisës nga shefi i Thaçit në Qeveri është i pazbatueshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat