Ekonomia prioritet i vizitës së Thaçit në Berlin

Kosova

Ekonomia prioritet i vizitës së Thaçit në Berlin

Më: 1 mars 2015 Në ora: 13:11

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, me ftesë të homologut të tij gjerman, për dy ditë radhazi do të qëndrojë në Berlin.

Mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral për zhvillimin e Kosovës dhe bashkëpunimi rajonal e ndërkombëtar do të jenë temat kryesore të diskutimit ndërmjet zëvendëskryeministrit Thaçi dhe autoriteteve gjermane.

Në ditën e hënë, në dy komisione të ndryshme, zëvendëskryeministri Thaçi do të takojë një numër të madh të deputeteve të Bundestagut të të gjitha subjekteve politike gjermane. Nga deputetet gjermanë, ai do të kërkojë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kurse, pas takimit me deputetët e Bundestagut, Thaçi do ta takojë edhe homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me të cilin do të diskutojë me hollësisht mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe mundësitë e Gjermanisë për mbështetjen e Kosovës, me theks të veçantë për ekonominë dhe politikën e jashtme në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu, në pasditën e të hënës, zëvendëskryeministri Thaçi do të mbajë edhe një ligjëratë në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Gjermanisë.

Thellimi i bashkëpunimit me Gjermaninë, veçanërisht për procesin e integrimit evropian dhe për zhvillimin ekonomik, është shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat