Rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi

Kosova

Rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 20:45

Pas gati 16 vjetësh nga vrasja e tre shtetasve amerikanë me prejardhje nga Kosova, procesi i gjetjes dhe gjykimit të autorëve vazhdon të jetë shumë i ngadalshëm, thotë Fatos Bytyçi, vëllau i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, të cilët në korrik të vitit 1999 u vranë nga forcat serbe në Petrovo Selo të Serbisë. Megjithatë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Bytyçi tha se me ndihmën e qeverisë dhe disa ligjvënësve amerikanë ai do të vazhdojë përpjekjet për përshpejtimin e këtij procesi. Dje zoti Bytyçi ishte në Uashington ku u takua me ambasadorin amerikan në Serbi, Michael D. Kirby për të diskutuar rastin e vëllezërve të tij. Kolegu Festim Gashi bisedoi me zotin Bytyçi dhe përgatiti materialin Hetimet për sjelljen para drejtësisë të autorëve të vrasjes së vëllëzërve Bytyçi vazhdojnë të jenë të ngadalshme për shkak të kërcënimeve që porkuroria serbe e krimeve të luftës dhe dëshmitarët vazhdojnë të marrin nga ata që dyshohet të kenë lidhje me këtë rast, thotë vëllau i viktimave, Fatos Bytyçi.

“Ata janë të frikësuar. Kanë kërcënime të mëdha. Është një dëshmitar që jeton në Evropë me të cilin kam kontakte edhe unë, i cili ka frikë për familjen e tij në Serbi. Ai vazhdimisht merr kërcënime nga gjenerali Goran Radosavleviç-Guri se do t’i zhduket familje nëse flet për këtë rast dhe do të eliminohet. Ka kërcënime të mëdha”.

Por zoti Bytyçi thotë se procesi nuk varet nga prokuroria serbe për krime lufte por nga politika serbe. Ai thotë se ka fakte dhe dëshmitarë për autorët e vrasjes së vëllezërve të tij por sipas tij qeveria serbe po e përdor këtë çështje për qëllimet e saj politike.

“Qeveria serbe më shumë është duke e përdorur këtë rast për politikën e vet. Nuk e di saktësisht se për çfarë arsye, por duket se rasti po përdoret për synime politike. Pra ky rast po mbahet si peng për blerje kohe në përpjekjet e tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian. Rastin Bytyçi dhe rastin e djegies së ambasadës amerikane ata i përdorin për të mbajt kontakte të vazhdueshme me qeverinë amerikane për të biseduar edhe për gjëra të tjera”.

Në nëntor të vitit të kaluar zoti Bytyçi u takua me kryeministrin serb Aleksander Vuçiç dhe kishte marrë zotime se do të ketë përparim në rastin e vëllëzerve Bytyçi deri nga fundi i muajit mars të këtij viti.

“Besoj se këtë herë ai do ta mbajë premtimin. Ai është i vetmi kryeministër që në muajin prill do t’i mbush një vit pa e vizituar Uashingtonin. Prandaj besoj se ai do të bëjë një surprizë për këtë rast dhe për djegien e ambasadës amerikane. Këto dy çështje janë ende të pazgjidhura”.

Në lidhje me hapat e ardhshëm për trajtimin e këtij rasti, zoti Bytyçi thotë se qeveria amerikane do të vendos për mekanizmat që do të përdoren për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Sot kam patur takime në Departamentin e Shtetit ku kam diskutuar këtë çështje. Në takim ishte edhe ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby. Qeveria amerikane do të marrë masa për këtë çështje. Ata i kanë mjetet e tyre dhe mënyrat e tyre për t’u marrë me qeverinë serbe”.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi ishin pjesëtarë të batalionit Atlantiku të ish Ushtrisë Çlirimatare të Kosëvës, që përbëhej nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, të cilët iu bashkuan luftës në Kosovë. Në korrik të vitit 1999 ata u arrestuan në rrethana të panjohura nga frocat Serbe në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare dhe më pas u vranë në Petrovo Selo të Serbisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat