Veseli siguron minatorët: E ardhmja e Trepçës është e sigurt

Kosova

Veseli siguron minatorët: E ardhmja e Trepçës është e sigurt

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 20:17

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një vizitë në Ndërmarrjen "Trepça" në Mitrovicë, gjatë të cilës u prit në një takim të veçantë nga menaxhmenti i saj, takoi disa familje që jetojnë në Qendrën Kolektive në Stantërg dhe u bëri një vizitë minatorëve gjatë punës së tyre në horizontet e thella nëntokësore.

Gjatë takimit me drejtorin e përgjithshëm të "Trepçës", Ahmet Tmava dhe drejtorët e resorëve përkatës, u diskutua për gjendjen aktuale në ndërmarrje, për problemet dhe sfidat me të cilat po përballet ajo, si dhe për nevojën që të veprohet shpejt nga institucionet e vendit për nxjerrjen e Ligjit për Trepçën, nëpërmjet të cilit do të mundësohet vitalizmi i kapaciteteve ekzistuese dhe zgjerimi i tyre. U vlerësua se kjo do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe rrjedhimisht në rritjen e shkallës së punësimit në "Trepçë", si dhe në gjetjen e tregjeve të reja për plasimin e produkteve të saj.

Më pas, kryetari Veseli vizitoi disa familje që jetojnë në Qendrën Kolektive në Stantërg, për t'u njohur nga afër me kushtet e tyre të jetesës. Kryetari i Kuvendit premtoi se shumë shpejt do të hartohet dhe implementohet një projekt, që këtyre banorëve t'u ndërtohen një vendbanim i ri.

Në funksion të njohjes për së afërmi me kushtet në të cilat veprojnë dhe punojnë minatorët e "Trepçës", kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi një vizitë të veçantë në horizontet e minierës, në thellësi prej 600 metrash, në të cilat takoi minatorët gjatë procesit të punës. Mes tjerash Kryetari Veseli theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës do të angazhohen konkretisht që e ardhmja ekonomike e Trepçës të jetë e sigurt.

Trepça ka nevojë që t'i përshtatet kushteve dhe rrethanave të ekonomisë së të tregut lirë, si e vetmja mënyrë që kapacitetet e saj prodhuese të rivitalizohen, të zgjerohen edhe më shumë, të rritet fuqia e saj eksportuese, që Trepça të gjenerojë zhvillim për vete, Kosovën dhe qytetarët e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat