A do të arrihet marrëveshja rreth gjykatave në Veri?

Kosova

A do të arrihet marrëveshja rreth gjykatave në Veri?

Nga: Diana Bunjaku Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 15:57

Takimi i radhës ndërmjet zyrtarëve të lartë qeveritarë të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, i aranzhuar për datën 9 shkurt të këtij viti, do të zhvillohet në nivel të kryeministrave dhe ministrave të jashtëm. Ky takim ka të bëjë edhe rreth marrëveshjen në sistemin e drejtësisë i cili do të instalohet në veri të vendit.
Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 9 shkurt për të vazhduar negociatat midis dy vendeve, pas një ndërprerje të bisedimeve që zgjatën për disa muaj.
Ndonëse temat e sakta të diskutimit janë ende të panjohura, megjithatë pjesëmarrësit do të mbulojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe efektet e saj në të dy vendet.
Rifillimi i bisedimeve me Prishtinën është veçanërisht i rëndësishëm për Beogradin, sepse dialogu është një pikë kyçe në vazhdimin e integrimit të Serbisë në BE.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se bashkë me të në takim do të jetë kryeministri Isa Mustafa, ndërsa në anën tjetër të tavolinës do të jenë të ulur kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, me ç ‘rast në zyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, do të përpiqen që të përmbyllin marrëveshjen për gjyqësorin në pjesën veriore të Kosovës.
“Takimi i datës 9 shkurt do të jetë një fillim i ri, një kapitull i ri, në veçanti për përmbylljen e marrëveshjes që është finalizuar sa i përket sistemit të drejtësisë”, ka thënë Thaçi gjatë një konference shtypi. Sipas tij, marrëveshja për gjyqësorin është jetike, në mënyrë që të funksionojë rendi dhe ligji edhe në veri të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se, lidhur me agjendën për bisedimet me Serbinë, Qeveria e Republikës së Kosovës, më konkretisht rreth agjendës së bisedimeve, do të njoftohet pas datës së10 shkurtit.
“Takimi i parë në Bruksel do të jetë me 9 shkurt, mirëpo me agjendën e bisedimeve do te njoftohemi nga data 10 shkurt”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Megjithatë, Ambasadori Britanik në Prishtinë, Ian Cliff, ka bërë të ditur se në takimin e 9 shkurtit në Bruksel, pret që të arrihet marrëveshja për gjykatave në Veri, në mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.
“ Marrëveshja e parë që do të arrihet, do të jetë ajo për gjykatat në veri, pasi kjo ishte shumë afër të arrihej para zgjedhjeve në Serbi”, ka thënë ambasadori Cliff, duke shtuar se ende ka shumë punë për t'u përfunduar marrëveshja për energjinë dhe telekomunikacionin, që sipas tij janë çështje komplekse.
Cliff ka përsëritur qëndrimin e vendeve të BE-së, se e ardhmja e rrugës së Serbisë drejtë BE-së, varet nga rezultati i dialogut me Kosovën. Ky rezultat sipas ambasadorit britanik është thelbësor edhe për hapjen e Kapitullit 35 të negociatave të Serbisë me BE-në.
Arbër Gashi, analist politik, dhe sekretar i përgjithshëm i Organizatës Balli Kombëtar në Mërgim, tha se funksionimi i gjykatave të pavarura nga pushteti politik paraqet vlerën themelore të shoqërive bashkëkohore.
Ai ka thënë se shikuar nga këndvështrimi pozitiv, siç shpresojmë ta bëjë këtë edhe ambasadori Cliff, një marrëveshje e tillë do duhej përshëndetur nga të gjithë.
“ Kur bëhet fjalë për Kosovën dhe problemin e veriut të vendit, detyrimisht para opinionit vendas shfaqet dyshimi i arsyeshëm, në njërën anë, mungesa e transparencës në bisedime dhe në anën tjetër bashkëbiseduesi i imponuar apo përzgjedhur”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, në këtë rast Qeveria e Republikës së Serbisë, është e obliguar nga legjislacioni i saj vendor ta trajtojë Kosovën detyrimisht si pjesë të pandashme të Republikës së Serbisë.
“Për këtë arsye dhe duke parë përpjekjet aktuale të Presidentit serb, Vojvodo Nikoliq, për një platformë të re serbe për Kosovën, pra për një platformë aspak shpresëdhënëse për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, skepticizmi i opinionit publik në Republikën e Kosovës sa vjen e shtohet”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se nëse kësaj i shtojmë edhe mbështetjen që presidenti serb, Qeveria e Serbisë dhe partitë politike serbe, i japin të akuzuarit për krime lufte gjeneralit Dikoviq, në kohën kur pritet të vazhdojnë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve, atëherë skepticizmi vetëm sa vjen e shtohet.
“Për rrjedhojë, marrëveshja që pritet të nënshkruhet në Bruksel, nuk do të prodhojë efekte pozitive, përkundrazi, siç ka ndodhur deri më tash, kjo marrëveshje do të shërbejë në radhë të parë, për interesa të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht”, ka thënë Gashi
Analisti Nexhmedin Spahiu, tha se Serbia po institucionalizon veriun si entitet brenda Kosovës, përkatësisht Veriun e Kosovës, si një entitet legal që i kontrollon zhvillimet politike, ekonomike, të sigurisë dhe ato juridike ne Kosovë.
“Gabimi elementar i lidershipit nga Kosova, ka qenë nga viti 200,m’u atëherë kur filloi të krijojë komunat në jug, para se ta merrte kontrollin mbi veriun”, tha Spahiu.

Sipas tij, plani i Ahtisaarit ka konsistuar në kompromisin që Beogradi t'ia dorëzojë kontrollin mbi Veriun e Kosovës Prishtinës në këmbim, e Prishtina t'i krijojë komunat me shumicë serbe në Jug të Kosovës.

“ Por lidershipi i Kosovës ka krijuar këto komuna pa e marrë kontrollin mbi Veriun dhe tash për të njëjtën gjë po e quajnë çmimi i shumëfishuar”, tha Spahiu.

Edhe analisti politik Belul Beqaj ka thënë, se zgjidhja e problemit të veriut të Kosovës në nivele më të larta edhe mund të ndodhë, e kjo nuk do të thotë se edhe marrëveshjet e deritanishme nuk kanë qenë të akorduara me nivele më të larta.Sipas tij, zgjidhja e veriut do të jetë ndryshe dhe do ta prekë direkt rregullimin e brendshëm juridik dhe politik të Kosovës.“ Kjo do ta vështirësojë fillimisht funksionalizimin e tërësisë së shtetit, ndërsa në fazën tjetër “zgjidhja në nivelet më të larta” të veriut në fakt do të jenë shembull për serbët në jug të Ibrit, që pas një periudhe të fillojnë edhe ata të kërkojnë zgjidhjen e statusit sipas modelit të veriut”, ka thënë Beqaj, duke shtuar se edhe ata nuk ndryshojnë aspak nga serbët e veriut, pavarësisht se aktualisht janë të integruar në institucionet e sistemit të Kosovës”, tha Beqaj.

Riza Smaka, njohës i çështjeve juridike, tha se pjesa veriore e Kosovës tej lumit Ibër edhe përmes negociatave Kosovare -Serbe , në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, është sanksionuar në një provincë autonome me ingjerenca të gjera, madje marrëveshjet nga ato bisedime nga Edita Tahiri dot nuk janë ofruar për ratifikime, sipas Kushtetutës , në Kuvendin e Ri të Kosovës.

“ Së andejmi gradualisht dalin koncesionet in konsekuentë të Edita Tahirit nga pala kosovare ndër të tjera edhe në favorin e gjyqësorit të pavarur të po asaj pjesë ,ku u morr vesh krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe për aq me interesat vitale të vendit tone sepse ndër të tjera gjithnjë e më tepër konfederalizohet dhe për aq defunksionalizohet”, ka thënë Smaka.
Ai ka theksuar se rrjedhimisht frytet e koncesioneve sukcesive kosovare në favorin e pjesës veriore të vendit tonë përkatësisht të Serbisë hegjemoniste,sipas okasioneve politike fitore proklamohen e kapitalizohen nga lidershipi serb.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat