20 familje kosovare i bashkohen Shtetit Islamik

Kosova

20 familje kosovare i bashkohen Shtetit Islamik

Më: 29 janar 2015 Në ora: 22:51

Shqiptarët nga Kosova, po i bashkohen luftës në Siri, duke marrë me vete familjet e tyre. Bëhet fjalë për prindër që me vete marrin edhe fëmijët të moshës së mitur, për t’ju bashkuar luftës së Shtetit Islamik (ISIS).

Gazeta “Zëri” mëson nga burimet e saj se rreth 20 familje kosovare aktualisht janë në Siri dhe rreth 80 luftëtarë janë aktivë.

“Ndërkaq, gjithsej që kanë shkuar dhe janë kthyer, bashkë me rreth 80 veta që aktualisht janë në Siri, kapin numrin prej rreth 260 vetave”, ka thënë për “Zërin” ky burim.

Por asnjëherë autoritetet e vendit nuk kanë arritur që të sigurojnë shifra të sakta se sa është numri i kosovarëve në Siri.

“Zëri” një ditë më parë, ka vizituar një familje, nga komuna e Klinës, ku 10 anëtarë të një shtëpie, para katër muajsh i janë bashkuar ISIS-it, në Siri. Është kjo familja Hasani, nga fshati Grabanicë të komunës së Klinës.

Tre vëllezërit, Arben Hasani (38 vjeç), Adnan Hasani (34 vjeç) dhe Ekrem Hasani (29 vjeç), me anëtarë të tjerë të familjes janë nisur drejt Sirisë para katër muajsh. Dy prej tyre kanë marrë me vete gratë me fëmijë, më i madhi nga fëmijët është vetëm 8-vjeçar.

Më shumë për këtë familje klikoni:

Kur ikin me familje s’e mendojnë kthimin

Sociologu, Fadil Maloku, thotë për “Zërin” se ka shumë dilema, se për cilat shkaqe një person e merr rrugën drejt luftës në Siri e madje me vete e merr edhe familjen.

“Ndoshta ka të bëjë me lidhje shpirtërore, me besimin, ndoshta për shkaqe ekonomike, të pagesave, janë shumë dilema këtu dhe nuk bën ta gjykojmë për njërën apo tjetrën”, thotë Maloku.

Në rastin e familjes Hasani, Maloku vlerëson se mund të jetë arsye edhe mendimi për t’u mos u kthyer më kurrë në Kosovë, transmeton zeri.info.

“Mund të jetë një ndjenë pak a shumë më tepër e karakterit individual, që vendosin për të mos u kthyer fare në Kosovë. Mund të jenë të përgatitur për të filluar një jetë të re atje, por prapëseprapë nuk guxojmë që ta forcojmë elementin religjioz sepse mund të mos jetë”, thotë Maloku.

Sipas tij, një studim që e ka bërë Shoqata e Sociologëve për shkuarjen në Siri ka dalë që motivet që po i dërgojnë njerëzit atje më shumë janë të natyrës materiale dhe shumë më pak ka të bëjë me elementin e fundamentalizmit apo të religjionit.

Sidoqoftë, gjithë shpresat për të parandaluar qytetarët e Kosovës që të shkojnë në luftëra të tilla, mbesin tek Ligji kundër “Xhihadit”.

Ditë më parë në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji mbi Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura jashtë Territorit të Vendit.

Edhe pse i vonuar, zyrtarë nga Policia e Kosovës konstatojnë se kalimi i këtij Ligji është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për parandalimin e shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në konflikte të armatosura jashtë vendit, por edhe në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe të radikalizmit në përgjithësi e që direkt kontribuon në mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës dhe ruajtjes së sigurisë nacionale./Zëri/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat