Balli Kombëtar Demokrat: Qytetarët të kenë kujdes nga kurtha e luftës politike

Kosova

Balli Kombëtar Demokrat: Qytetarët të kenë kujdes nga kurtha e luftës politike

Më: 28 janar 2015 Në ora: 17:42

Këshilli Nismëtar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat për Republikën e Kosovës e vlerëson shprehjen e drejtë të pakënqësisë së qytetarëve të Republikës.
“Megjithatë, ne ftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë vigjilentë karshi synimeve të organizatorëve dhe të tregojnë largpamësi, të analizojnë drejtë dhe pa emocion objektivat e tyre. Mos të harrojmë të dashur qytetarë të Republikës se deri para pak ditësh, kryeministri aktual dhe organizatorët e protestave ishin bashkpunëtorë të ngushtë dhe në parimet bazë të koalicionit LVAN, u pajtuan të vazhdojnë bisedimet antishqiptare me shtetin fashist serb, të nisura kohë më parë nga ish-kryeministri dhe tani zëvendës kryeministër e ministër i punëve të jashtme, zotëri Hashim Thaçi”, thuhet në reagim.
“Mos të harrojmë të dashur qytetarë, se as edhe një milion Jabllanoviq nuk vlejnë sa një shqiptar i vetëm i Republikës së Kosovës. Mos të harrojmë të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, se faktorizimi i fashizmit serb po bëhet përmes bisedimeve të drejtpërdrejta me shtetin që ushtron agresion kushtetues ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet më tej.
Kjo parti thotë se , protesta është mjet demokratik i shprehjes së pakënaqësisë dhe si e tillë respektohet kudo në botën e demokracive përparimtare. Për rrjedhojë, protesta duhet të ketë objektivin e qartë, të jetë paqësore, të ruajë pacënueshmërinë e pasurisë private, pasurisë publike dhe jo të shfrytëzohet për interesa të marrjes së pushtetit me anë të dhunës. Pushteti është legjitim vetëm atëherë kur ai posedon votat e shumicës së qytetarëve të Republikës.
“Qytetarë të Republikës së Kosovës!
Ju ftojmë të keni kujdes nga kurtha e luftës politike për pushtet brenda llojit”, ka porositur kjo parti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat